![]() |
||
FERID SELIMI
MIZËKAPUÇËT
![]() FJALAMANËT
Sot është më së lehti të gjesh patriotë. E kam thënë, ama, asi me bateria apo më mirë të them asi me agregat që trimëria dhe patriotizmi i zgjasin më së tepërmi dy sahat. Bile, ndoshta edhe më pak. Rrahagjoksët e tillë i gjenë kudo. Në treg, në kafene, nëpër zyre të ndryshme, në ndeja e kokteje të manifestimeve të ndryshme etj.
Këta të fundit qesin flakë për goje. Çdo e dyta fjalë e tyre është "populli ynë i robëruar", pastaj "atdheu ynë i dashur", "lufta jonë për liri", "liria është afër" etj, etj, dhe nuk harrojnë që gjatë fjalimit gotën ta mbajnë para hundëve të veta, se halbete, gabimisht mund t'ua marrë ndokush dhe t'ua pijë deri në pikë.
Këta farë patriotë janë shumë të zëshëm nëpër këto vendndeja. Mirëpo, posa ta nuhasin rrezikun do t'i bijnë mohit. Do t'i hanë fjalët e veta, bile, nëse rastisë që ta hanë ndonjë flakareshë nga ndonjë inspektor apo edhe polic i thjeshtë, do t'i tregojnë edhe të bërat dhe të pa bërat për sa i hap e i mbyll sytë. Të gjitha fjalët do t'u rrjedhin sikur vargje të ndonjë vjersheje të gjatë, të recituar në ndonjë festival. Ata, fare nuk do të mërziten nëse gjatë recitimit bëjnë ndonjë përjetim të rrejshëm dhe t'i mallëngjejnë inspektorët...Ç'patetizëm se!?
Rrahagjoksët e tillë do të dalin dhe do të hedhin flakë nga goja sesi janë maltretuar dhe keqtrajtuar nga policia e sesi u kishin qëndruar torturave të ndryshme e bile as "gëk" me gojë nuk kishin bërë."Unë dhe populli ynë i robëruar, do të qëndrojmë stoikisht". -do të vazhdojë ndonjëri nga këta "patriotë". Këtë "stoikisht" do ta theksojë në tri rrokje dhe me zë më të lartë. "Sto-i-kisht", do ta përsërisë duke pritur duartrokitje nga të pranishmit. Mirëpo, meqë të gjithë të pranishmit, duart do t'i kenë të zëna me gotat e rakisë së rrushit, apo me shampanjë evropiane, do të kënaqet me vetëm disa buzëqeshje të miqve të afërt. Nuk do të ndalet me aq, por do të vazhdojë fjalimin duke përdorur prapë fjalë e fjali të mëdha si: "atdheu ynë i dashur e krenar pret ballhapur..." pastaj do të ndalet për të përcjellur me sy "çehren" e të pranishmëve, e pasi të bindet për mbarëvajtjen e diskutimit të tij, i kënaqur do ta ngre sërish zërin dhe gishtin lart, sikur t'i kërcënohej dikuj...por -do të shtojë ai... -"lufta jonë për liri nuk është ndalur asnjëherë dhe është e drejtë e patjetërsueshme jona".
Aferim! Tash e tha të tërën. Ky jo vetëm që na qenka patriot, por edhe luftëtar i denjë i lirisë. I lirisë, pra, i lirisë së pijes së fortë alkoolike. Ngase siç e dini, nuk mund njeriu të bëhet patriot e luftëtar pa pirë mirë e mirë raki rrushi, apo jo?!... Tani, ai do të bëjë një pauzë. Do ta ngre një dolli në emër të "atdheut të dashur" dhe "luftës për liri" dhe do të vazhdojë... "... Liria është afër, miq të mi" -Këtu i stërkënaqur do ta ngre edhe një dolli. Andaj të gjithë ne duhet ta kemi parasysh se cilin duhet avansuar, e cilin defanzuar. Shprehjen e fundit do ta thotë me një zë paksa më të ulët pasi që nuk ia di kuptimin. Prapë do të pres nga të pranishmit ndonjë duartrokitje, por... duart janë të zëna. Pijen do ta vazhdojë derisa të bie në tokë e t'i mirret gjuha. Veten do ta ndjejë për të gjallë në shtratin e dhomës së fjetjes. I gjori do të harrojë se ç'kishte folur një mbrëmje më parë, por, do të ngritet dhe do të flasë me vete: -Po, ç'ëndërr të bukur paskam parë! Njëmend ëndërr e bukur në zhgjëndrrën demokratike!
OPOZITARI NË TELEVIZION
Me të shtrirë në kanape e kisha shprehi të trus orë e çast pultin e televizorit. Duke lozur ashtu me pult, hooop, çka të shoh, opozitarin e skenës politike të Serbisë. Jo vetëm politikan, por ishte edhe alamet shkrimtari se...Të them të drejtën edhe pse politikanëve nuk u besohet, ja që me disa sjellje të veta m'u pat bërë sado pak simpatik. Kishte rregulluar frizurën e flokëve, kishte rruar pak mjekrën dhe ishte kandiduar për kryetar shteti.U çudita, të them të drejtën, sesi kishte pranuar të ishte mysafir në po atë shtëpi informative, të cilën para një viti e kishte gjuajtur me vezë. Se ku i patën gjetur gjithë ato vezë, nuk e di, por për ta bërë shkret shtëpinë, po. Të gjitha dritaret u patën bërë me të kuqtë e vesë. Droja mos ndoshta ato ditë do të më vinte ndonjë mysafir, e nuk do të gjenim vezë për të bërë ndonjë ëmbëlsirë. Kishin humbur fare. Ato mund të gjendeshin vetëm në Beograd dhe me çmim të majmë. Nuk kisha llogari të bëja 400 kilometra për dhjetë vezë. Do të më kushtonte më shtrenjtë dara se xhiza.Sidoqoftë, e thashë edhe më parë, u çudita nga sjellja e tij. A mund njeriu t'i bie mohit. Ai nuk ishte i thjeshtë: politikan i kalibrit të lartë edhe shkrimtar. Fliste para kamerave të asaj shtëpie dhe u përgjigjej pyetjeve të shikuesve. Siç dihet, udhëheqësit e emisioneve të tilla që më parë përgatiten nga pushtetmbajtësit t'i provokojnë opozitarët. Kjo vazhdon deri atëherë kur opozita bëhet pozitë e pozita opozitë. Pastaj ndërrohen rolet. Aktorët mbeten të njëjtë. Udhëheqësi lexon një pyetje: Një shikuese e Beogradit pyet: Zotëri, vitin e kaluar e gjuajtët këtë shtëpi me vezë, çfarë mendoni sot për të? Ai qeshi dhe me një ironi tha: Po, është e vërtetë që vitin e kaluar e kam gjuajtur me vezë, po, ja që sonte kam ardhur mysafir, por pa vezë. Qesha me të madhe sa që shoqja ime që po bëhej gati të m'i fërgonte dy vezë, u habit e më tha:- Çka dreqin ke, ç'po qesh ashtu?- E si të mos qesh moj e uruar- i them unë asaj. - A nuk e dëgjon burrin e botës se ç'thotë? Paska shkuar në televizion pa vezë.Tani kam rënë në hall. Nuk e di mos ndoshta vezët ia ka marrë e shoqja apo ndoshta, kryetari aktual e ka tredhë të gjorin, e kanë lënë pa to.- Ç'flet gjepura more?! -tha ajo dhe vazhdoi punën. Pasi fërgoi vezët, më shtroi darkën e derisa haja, qeshja. E shoqja më vështronte me një shikim të qortueshëm. Nuk di as vet si më rrëshqiti dora mes këmbëve. I preka lehtë "sendet", pa të cilat njeriut nuk i thonë burrë.
SECILI ME GAJLET E VETA,E MULLISI...
S' ka njeri në botë që nuk ka gajle, apo siç e thotë populli "njeri pa kasavet nuk ka". Secili i rrit të vetat edhe ato duken më të mëdha dhe të pa zgjidhshme. E pasi t'i heqin nga rendi i ditës kthehen e thonë: Asgjë nuk paskan qenë ato, në krahasim me këto që kam tani. Çdo ditë probleme të reja!Nesër më duhet të shkoj në një dasmë të një miku. Kam gajlen çfarë peshqeshi t'i blejë. Kam hallin e parave. Sot e harxhova edhe metelikun e fundit që më mbeti nga rroga. Tjetri ka gajlen e borxhit ndaj elektrodistribuimit, se helbete i teket dikujt dhe shkon e çkyq nga rrjeti...Bujku ka gajlen e bereqetit. Vera mori thatë dhe gati janë tharë të gjitha perimet. Mundi do t'i shkojë huq. Ditë e natë shikon qiellin, si i marrë mos ndoshta diku do të shohë ndonjë re, shpresë kjo për ndonjë pikë shiu.Punëtori ka gajlen e familjes. Punëdhënësi, si të sigurojë punë dhe mjete për të paguar punëtorët.Hoxha e prifti kanë problemin tjetër. Lusin zotin të ketë vdekje më të shpeshta. Ç't'i bësh, kështu do ta "nxejnë" xhepin.Nxënësit kanë gajlet e mësimeve dhe të detyrave shtëpiake.Studentët, gajlen e provimeve. E mullisi...Mullisi ka gajlen e ujit dhe... Pra, të gjithë të vetat dhe të gjithë… nga pak të huajat.Kur i shikon nga jashtë, njeriut i duken mjaft këto gajle, por sikur nuk ngopen me të vetat e sikur shpina e tyre duron edhe më tepër, andaj fillojnë të bartin edhe gajlet e huaja. Këtu fillojnë intrigat.Se ç'më tha një ditë njëri në kafene: filani merret me intriga dhe bart vetëm gajlet e huaja. Ç'është më e keqja. Pasi përfundoi për të, filloi për tjetrin, e më vonë edhe për të tretin e kështu do të vazhdonte edhe për të katërtin po të mos e ndërpreja. Ngadalë -i thashë -hajt se po të besoj për të parin, edhe për të dytin po këta të tjerët? Edhe ata janë të tillë?Të gjithë janë të tillë! -më tha.Me leje! -i ktheva -mos po e tepron pak.Jo, ma ktheu, bile nuk po mund të t'i them të gjitha, ende di për ta. Po ti -i thashë- nuk ke punë tjera pos të merresh me intriga? Me intriga?! -u çudit ai. -Unë të merrem me intriga? Kurrë jo, ata merren me to, andaj edhe t'i them të gjitha këto.Po këto që thua nuk janë intriga?Jo, këto janë të vërteta. Bile edhe të tjerët e dinë, s'di s nuk i njeh ti?-More, unë i njoh, por s'dua të merrem me këto gjepura. Kam punë më të mençura.Nuk desha ta dëgjoj më, kisha vëlla gajlet e mia. Ai vazhdoi edhe më tutje të llomotisë, por s'e dëgjoja fare. Nuk e kisha të qartë se kush merrej me intriga: ai, apo ata për të cilët fliste. Dikush do të thoshte se është bërë për hajmali. S'e besoj në do të bënin punë edhe hajmalitë e më të madhit hoxhë!Një ditë m'u drejtua me një zë lutës. Kam probleme të mëdha, më tha -nuk po di nga t'ia filloj.Hesht -i thashë unë -se po të filloja unë t'i tregoj hallet e gajlet e mia t'i shkërdhejnë tuat.Kjo shprehje që e thashë, nuk e di në ishte e imja apo e kisha dëgjuar prej dikujt. Ai më nuk m'u afrua e s'ma tha asnjë fjalë e pse, nuk e di.
"NJERIU - ROBOT"
Çdo mëngjes, rrugës për në punë, takoj atë Fiç-Firiçin. Gjithnjë elegant. I veshur mirë. Çdo ditë me kravatë të re. Si duket ka koleksion kravatash në shtëpi. Edhe këmishat i ndërron, por më rrallë. Ndodh që jaka t'i vëjë një gisht llom. Kjo nuk i pengon. Kravata e re i shkëlqen. I mungojnë vetëm "republika" dhe bastuni për t'u bërë njeri i Europës. Derisa ishim nxënës të shkollës së mesme, profesori kujdestar që ishte para pensionit na thoshte: duhet t'u vijë turp. Në Europë, maturantët bajnë republikë, kravatë, bastun dhe me këto bëhen zotërinj të vërtetë. E ju, vini me farmerka në shkollë. Flokët nuk i krehni, fytyrën s'e rruani, bile as nuk pastroheni si duhet e të mos flasim për pastrimin e dhëmbëve...Njëmend kishte të drejtë. Në kohën e maturimit tim, shtyheshim se cili do t'i rrisë flokët më të gjata. Shkonim me mjekër të pa rruar, veshnim pantollona të shqyera qëllimisht. Në një këmbë mbathnim një patikë, në tjetrën ndonjë çizme. Donim të ecnim në një hap me Europën. Ky farë Fiç-Firiçi pas më se njëzet vjetëve do të kthejë këtë modë prapa.Edhe diçka...Nuk harron që në ditët e ngrohta t'i vërë edhe dorëzat në duar. Qesharake, por, e vërtetë. Ndodhi dhe e pyeti dikush: Pse mor i ke vënë dorëzat?Ai do t'ia kthejë: Tani i kam blerë dhe tani i bajë. Kjo është e drejtë imja!?!E drejtë e tij është. Këtë askush nuk do t'ia mohojë. Por, sa do t'ishte e drejtë e tij që të flasë diku, për dikë apo për diçka që nuk është i autorizuar?!Burri i botës e ka gojën e lirë. Edhe fjalët i ka të lira. Ç'është e vërteta, kurrë nuk flet me gojë të vet. S'e ka as mendimin e vet. Lexon nga letra e përgatitur. Po, po. Nxjerr letrën nga xhepi dhe lexon. Syzat nuk i përdor. Sytë i ka të shëndoshë. Sheh mirë. Bile edhe në shtëpi flet me letër. Funksionin e ka të tillë. E po ç'funksion se...Çdo mëngjes, del dhe shëtit rrugëve.Nuk përshëndet askë, ngase është i nxënë me punë. Lexon apo ushtron referatin e shkruar. Kalimtarët nuk i bëjnë përshtypje. Mirëpo, kalimtarëve, sjellja e tij i duket pak sa e çuditshme. E kanë përfaqësues. Ndonjëherë dikush thotë: Ja roboti. Heu, bre a mund të jetë njeriu robot?Mundet, mundet që ç'ke me të! Dikush tjetër shton një mendim tjetër:Mos është i hipnotizuar?Edhe kjo mund të ndodhë. Hipnotizohen njerëzit. Nuk guxojnë të mendojnë ndryshe.Vetëm ashtu si thotë partia. E partia është zot, ndërsa kryetari profet. Nëse së paku njëherë në ditë, nuk përmendet partia apo kryetari atëherë ai s'do të ishte i devotshëm.Duhet të dihet një gjë, thotë Fiç-Firiçi rrugës. Anëtarët e partisë nuk do të ishin anëtarë të mirëfilltë nëse nuk e përfillin këtë gjë. Nëna parti është ajo që i ngriti njerëzit!? Po, bile bëri edhe revolucion në shkencë. Arriti që njerëzit t'i kthejë në robot-njeri. Kjo nuk është e arritur e vogël. Bile, të them të drejtën është shpikje madhështore-bashkëkohore.Për këtë partia ka meritë të madhe. Urdhëroj që menjëherë t'i shkruhet një fletë-falënderim dhe t'i dhurohet për kontributin e dhënë civilizimit njerëzor.Por, druaj se vjen një kohë tjetër që do ta shkel këtë të sotmen dhe fletëfalënderimi do të gjuhet në shportë, siç ndodhi me mirënjohjet dhe fletëfalënderimet e mëparshme.Edhe unë do t'i bie mohit. Nuk do të shkruaj kurrëfarë fletëfalënderimi as mirënjohje. S'dua bre vëlla që ajo të mbarojë në shportë. Partinë, nuk do ta kem zot as kryetarin profet, se s'i dihet kohës dhe politikës që mund të vijë... Mund që në vend të tij të vijë ndonjë tjetër e pastaj do të sulmohem si adhurues i të mëparshmit dhe më s'do të jem në skenën politike. E nëse nuk do të jem atëherë ç'më duhet jeta. Shqiptarit nuk i vyen jeta nëse së paku nuk merret me politikë. E pra, asgjë nga mirënjohjet e fletëfalënderimet.
"LEXUESI I RREGULLT"
M'u afrua një lexues, më përshëndeti duke më shtrënguar dorën dhe tha:Je poet i shkëlqyer.E shikova me habi, kishte vite që nuk kisha botuar asnjë poezi.Hyqmirilah (thashë me vete) prej nga ky konkludim i tij?! Më fal, i thashë, por mos më ke ngatërruar me ndonjë tjetër. Jo mor, nuk të kam ngatërruar. A je ti filani? Pohova me kokë. Atëherë a mund të të ngatërroj? Para ca ditësh lexova një tregim të shkurtër tëndin dhe të them të drejtën më pëlqeu shumë. Prapë mbeta i shtangur. As tregim nuk kisha botuar një kohë të gjatë.More nuk shtirem, njëmend habitem. Më paske ngatërruar, kohën e fundit më shumë merrem me satira - i thashë. E po unë për ato e kam fjalën -më tha.Shiko! -i thashë. -Ai që shkruan satirë nuk është poet. Njësoj është -më tha. I kupton ti shkrimet? -e pyeta. I kuptoj si nuk i kuptoj. Bile edhe mund t'i analizoj.-Ja, për shembull, në atë farë satirën tënde kishe shkruar për disa njerëz që kanë miza dhe unë mund të të them se njëmend ka të tillë. Por, të them të drejtën nuk më pëlqeu vetëm një gjë.-Çka nuk të pëlqeu?-Mos ma merr për të madhe, por drejtën të ta them nuk më pëlqen mënyra jote e shkrimit.-Cila mënyrë? -e ndërpres unë.-Ta them troç. Pse bre vëlla nuk shkruan personazhin me emër e mbiemër. Le ta dinë të gjithë se për kë e ke fjalën. Kështu si shkruan askush nuk e merr për vete, ngase të gjithë mendojnë se nuk janë të tillë.-E po -i them unë -satira nuk duron gjëra të tilla. Secili që lexon duhet të gjejë diçka në vete apo te tjetri.-Jo, jo, ashtu secili i ik përgjegjësisë.-E po ti a the se je edhe analizator i mirë?-Po. -Atëherë pse më lodh me gjëra të tilla. A nuk të duken banale?-Të lutem, por këto nuk janë gjëra banale...-Ato që i shkruaj e i botoj, -e ndërpres -jam i bindur se dikend do ta prekin dhe dikujt nuk do t'i pëlqejnë, por unë nuk mund të jem diell dhe t'i ngrohë të gjithë.-Po ama...-Të lutem më lë të qetë. -i thashë dhe u largova..Hyra në një kafene, u ula në një tavolinë dhe kërkova një kafe. Pasi, më solli kafenë kamarieri, ende nuk kisha arritur as ta provoj, i njëjti person erdhi pa më pyetur në ishte vendi i lirë u ul tek unë.-Më fal ndoshta e teprova pak! -më tha.-Jo nuk e teprove! -pa një interesim për bisedë.-Megjithatë, ti u nxehe.-Ato që i kam thënë, besoj se janë të qarta dhe s'kam çfarë të shtoj. E drejtë e lexuesit është të mendojë si të dojë dhe ta merr ashtu si mendon.-Po atëherë pse nervozohesh?-Jam gopur me fjalë miradie dhe me kritika, kështu që çkado që të thuash tani do të jetë e tepërt.-Megjithatë unë prapë mbetem me atë mendim.-Atëherë do të ishte mirë që ti vetë të shkruash ashtu si ta merr mendja.-Po unë… s'di të shkruaj.-Atëherë lexo atë që shkruajnë të tjerët dhe mos i lodh me mendimet e tua. Shkrimet nuk mund të bëhen me rrota që të mund të sillen si shtëpia e Nastradinit.Do t'i pëlqejë apo jo dikujt për këtë nuk duhet vrarë mendjen. Por, njeriu i cili nuk mund ta dallojë poezinë nga satira nuk mund të jetë edhe analizator i mirë. Të tillë ka mjaft apo thënë ndryshe ka një dyzinë "analizatorësh".
KULTURA NË HENDEK
Për të shkruar një vepër sado të shkurtër, shkrimtarit i duhet koxha një kohë e mirë. Nganjëherë edhe vite të tëra, e, ndoshta do ta kalojë një dekadë e fiu...I gjori shkrimtar!Pos që duhet ta ketë gajlen e temës së rrahur, stilit e të shkruarit, duhet të mendojë edhe "e ha pazari apo jo?". Shkruan ai, pa ndarë dhe shkrimet i mban në sirtarë, derisa t'i sigurojë mjetet për t'i publikuar.Dhe jo vetëm kaq, por edhe pas botimit duhet që distribuimin e librit ta bëjë vetë.Dy-treqind copë shkojnë falas, të tjerat që mbeten...I ha koha !?…Dikush do të thoshte:A është e mundur?E mundur, edhe mirë bile. Kultura jonë e leximit ka rënë hundë e buzë në "HENDEK" e s'ka kush t'i zgjasë dorën për ta shpëtuar. Po a shpëtohet leximi, hej ?Të rinjtë më parë harxhojnë paratë për pije freskuese dhe kafe esspreso nëpër kafiteri të ndryshme, sesa ta blejnë një libër në ditë. Obobo! I rashë sopatë!Nuk them një libër në muaj, apo edhe në tre muaj, po në ditë! Ç't'i bësh unë jamë realist. Apo pak anoj kah soc-realizmi. Bëj hesapin tim: dy kafe esspreso dhe dy pije freskuese, kushtojnë hiç më pak se pesë marka.Po aq kushton një libër.Kam apo nuk kam të drejtë !?Pastaj e kam për të mirën e të rinjve! Kafeja mund të çrregullojë shtypjen e gjakut. Ndërsa pijet freskuese mund të jenë të ftohëta dhe mund të vijë deri te tonsillopharingitisi dhe ata mund të përfundojnë në terapi antibiotike. Besa në këto kohë të vështira, nëpër barnatoret shtetërore nuk mund të gjenden kurrëfarë lloji i antibiotikëve, andaj, duhet blerë nëpër barnatoret private. E shihni pra? Jo që mund të harxhojnë para sa të kenë blerë gjashtë apo shtatë libra, por do të humbnin kohën të shtrirë në shtrat. Njeriun e shtrirë në shtrat e mbytë monotonia. Patjetër duhet të lexojë ndonjë nga gazetat ditore. Prapë do t'i ngritet shtypja e gjakut kur do të shohë ndonjë të pavërtetë apo edhe rrenë të kulluar. Dhe ç'kanë fituar?!.Sëmundjen de...Po… Ja që, nuk mendojnë si duhet. Prandaj, kultura jonë e leximit është aty ku është.Nuk ka mbetur shteg tjetër, jo, jo, pos që veprat e autorëve të lexohen e të komentohen vetëm në rrethin e ngusht të kolegëve. Dhe... kultura..., ku është kultura?Ka mbetur de, atje në hendek!E, prapë sillemi si të kulturuar. Formulojmë mendime e thënie të pakontrrolluara dhe rrahim gjoks se jemi popull i kulturuar dhe fisnik. Po, mirë. Ku na mbeti fisnikëria ? E mbajmë në xhepa! Nuk na interesojnë ëndrrat e imagjinatat e poetëve! -do të thonë. Nuk merremi me ali-mulaja!? Na intereson fitimi. Ku është fitimi, ai na duhet.Heu, bre, po në hall që kemi rënë!Unë flas për kulturë, ata kërkojnë mënyrën e fitimit!? Të gjorët sikur nuk e dijnë se edhe për të fituar duhet pasur kulturë...Hajt bacë e ju rritë mendja!Po si ?!...
SHUMË E RËNDËSISHME, APO JO?
Pasi përfundova skeletin e një komedie, kërkova mendim prej disa shokëve. Një prej tyre nuk ishte i kënaqur, pse kisha zgjedhur personazhin kryesor (katundaren) e (jo qytetaren). Tjetri ma zinte për të madhe pse e kisha zgjedhur për temë shëndetësinë. I treti, pse e kisha vënë gjyqin etj.etj.Asnjëri nga lexuesit e parë nuk ma dha ndonjë vërejtje ideo-artistike apo edhe estetike, të cilat më interesonin më tepër. Ishin kapur për një fije të kashtës e cila do të këputej shpejt. Secili jepte vërejtje aty ku i dhimbte. Njëri ishte i punësuar në shëndetësi, tjetri ishte katundar, i treti punonte në gjyq, etj.etj.Sipas tyre duhej t'i pyesja për numrin e personazheve në komedi. Cili duhej të ishte më naivi, ku duhej të ndodhte e tërë ngjarja dhe kështu me rradhë. E po, qejfi nuk mund t'i plotësohej secilit. E drejtë imja ishte që të shtroj një naivitet apo edhe një ndodhi të qenë apo edhe të imagjinuar. E them këtë, nga fakti se kjo komedi imja nuk kishte të bëjë me ndonjë histori apo edhe ndonjë ndodhi të vërtetë. Kujtoj se e tërë ngjarja kishte të bënte me situatën në të cilën gjendeshim dhe amullia e cila na mbulonte disa kohë.Njëri prej tyre që e lexoi me "vëmendje" pasi m'i dha disa mendime "të shëndosha" më propozoi që këtë komedi t'ia ofroj ndonjë regjisori eminent, i cili do ta filmojë. -Merre me mend -më tha -Do të bëjë bum në kinematografi. U ndala dhe mendova në vete. A është e mundur? I njëjti person të më propozojë një gjë të tillë. E kuptova se vërejtja e tij nuk ishte e shëndoshë. Po të mendonte sinqerisht , s'do të jepte një propozim të tillë. Tjetri më propozoi që t'i ndërroja karakteret. -E çka mendon ti me shprehjen karakter? -e pyeta. -Karakter i njeriut -më tha.Nuk e zgjata më. Nuk kishte lidhje me kuptimin e kësaj shprehjeje. Ka dëgjuar "Herifi" për karakterin dhe tash duhet dikund ta shtrojë si problem. E shtroi drejtë apo jo, krejt një. E drejtë e tij është, nuk mund t'ia mohojë askush. Ai e "njeh" teorinë e lertësisë. Bile së paku ka dëgjuar.I "njeh" burri i botës edhe figurat stilistike. E po ç'nuk di se?! Ne që pak a shumë e njohim letërsinë nuk dimë (sipas tij) t'i përdorim me vend ato figura. Nuk e dimë ç'është krahasimi, ironia, hiperbola etj.etj. Dhe ai duhet të na mbajë ligjëratë për to.
I LUMI AI !!!…
Besa edhe të lumët ne që kemi njerëz të tillë. Shkrim-leximin e kanë mësuar në klasën e parë fillore. Emrin dhe mbiemrin e dijnë përmendësh.
Prapë:
I LUMI AI !!!…
Ka edhe të tillë që nuk dijnë shkrim-leximin. Po. Për shembull, nëna ime s'e ka asnjë ditë shkollë, por ajo nuk përzihet në punë të tilla. Jo që nuk i interesojnë, por nuk i kupton, sepse nuk di të lexojë. Edhe pse analfabete, pasi i lexova një pjesë të një romani "historik" ajo desh u çmend nga habia.
-Si mundet -më tha -që njeriu i vdekur në roman, ende të jetojë jetën e përditëshme. -E mundur -i thashë. -Me ju diçka nuk është në rregull. -Jo me ne, por me atë që e ka shkruar romanin. -Krejt një -më tha -ju e lexoni dhe i besoni. Historia nuk shtrembërohet. Edhe pse analfabete, ajo e kishte kuptuar se tema e shkruar në atë roman ishte vetëm trillim. E ne vazhdojmë të botojmë romane të tilla dhe i ngrisim në qiell. Këto si duket nuk ia vrasin syrin askujt. Ndërsa komedia që bën fjalë për një të metë tonën i preokupon njerëzit dhe flasin burrat e botës: duhet ndërrohen karakteret, personazhi kryesor të mos jetë katundar...
Shumë e rëndësishme apo jo?
"JURI SE JO MAHI"
A ka më keq se t'i mëshosh vetes?!Jo!Epo ka edhe të tillë. Bile ata nuk janë njerëz të rëndomtë. Veten e marrin për studiues të shkëlqyeshëm. Dhe u shkon fjala. Merren me gjithçka: Me kulturë, me politikë, me shkrime, me reçensione e me çka jo… Janë të gjithanshëm.Në një premierë, njëri nga këta studiues apo njohës të artit tha: "Në një aspekt, nga kjo premierë nxora konkluzionin se janë kaluar kufijt e amatorizmit".I njëjti person pas disa ditësh jep deklaratën tjetër: "Drama shqipe (fjalën e kishte për këtë premierë) është kthyer për pesëdhjetë vjet më pas".A është e mundur...E mundur. Dhe e saktë. Njerëzit nuk zgjedhin mjete për të arritur deri te një qëllim. Qëllimi ishte që në festival (në suaza amatore) të ngritej një "tekst" që nuk ishte tekst dhe një "dramë" që nuk ishte dramë.Dhe...E ngriti deri në qiell. Me ndihmën e tij shfaqja mori shpërblimet e jurisë së festivalit, por jo edhe mendimin e publikut. Kjo ndodh gjithkund e gjithnjë: Nëpër festivale të ndryshme, caktohet juria që a priori "zgjedh" të shpërblyerit dhe mbaron puna. Shpeshherë, simpatia mund çdo gjë. Mund që recituesi të mos ketë fare zë e të fitojë vendin e parë në festival.Juria thotë ashtu.Mund që këngëtari të harrojë edhe tekstin (hiç melodinë) dhe prapë të fitojë… Juria vendos.E publiku?Publiku ka të drejtë të paguaj biletën dhe vetëm të përcjellë programin. Ose, nuk ka të drejtë të hyjë në sallë!? Edhe pa ta bën?!Po, festivalet për kë organizohen?Për jurinë!Jo more?Po? Po!Po nuk pati juri, nuk do të ketë festival. Po, nuk pati festival nuk do të ketë juri.Ndërsa publik do të ketë gjithnjë. Për një pordhë të lëshuar, publik do të ketë. Por, ata nuk kanë të drejtë të përzihen në punët e jurisë. Nuk dinë gjë, prandaj janë publik.E... Festivale ka me bollëk andaj edhe juri ka sa të duash. JURI SE JO MAHI?!
TË FOLURIT E BERBERIT
Ju ka rastisur ndonjëherë të takoni individë që e duan dhe e flasin mirë gjuhën letrare?! Jeni kënaqur duke i dëgjuar, apo jo?Veshi juaj e ka pranuar më mirë se kurrë më parë, çdo shprehje të tij. Sa bukur! (keni thënë me vete) tingëllon gjuha letrare dhe keni provuar që edhe ju t'ua ktheni me po atë mënyrë, por me që nuk jeni mësuar me shprehje të tilla ju ka dukur vetja artificiale dhe prapë keni vazhduar me të vjetrën.Kështu bre vëlla jemi mësuar!?Ju ka rastisur poashtu të takoni njerëz që kanë provuar të flasin gjuhën letrare, por gjatë të folurit kanë bërë njëmijë e njëqind gabime dhe sigurisht me vete keni thënë:Fare nuk tingëllon mirë dhe ua keni bërë bajat. Po, po, ua keni bërë bajat dhe u keni thënë: Mos fol vëlla me gramatikë kur nuk di...E po, pse tani të përdoret këtu shprehja "Gramatikë", ç'lidhë punë gjuha letrare me problemet gramatikore. Ja që në popull për të folurit e letrarishtes thuhet "me gramatikë" e kjo nuk ka të bëjë fare me të, por ç'e do...Prapë keni takuar njerëz që kanë tentuar gjatë të folurit të tyre të përdorin po ashtu disa shprehje që për ta kinse janë të leksikut të letrarishtes dhe jeni shqyer së qeshuri nga radhitja e fjalëve dhe deformimi që u është bërë...Mua më ndodhi kështu...Derisa isha te berberi, aty ku çdo herë qethi flokët, takova një person që veten e quan "alamet" këngëtari. Po, po, ai veten e sheh çdo ditë në televizionet lokale, pastaj dëgjon këngët dhe zërin e vet nëpër kasetat që ka inçizuar me financim të vetin dhe i ka hyrë vetja në huj. Ata që njohin muzikën, nuk prajnë duke kritikuar. Këndon KIÇ -i thonë, por ai sikur nuk i dëgjon dhe vazhdon me të veten.Sidoqoftë, ai edhe aty (në berberhane) këndonte me zë të ulët dhe priste rend për ta rruar mjekrën. Dikush e ftoi jashtë.Berberi (mjeshtri i mjekrës dhe i leshit tim) filloi ta lavdërojë aq shumë saqë m'u duk se do ta bënte yll të muzikës shqiptare. Provova ta ndal me një mendim timin, por ai nuk prante duke e lavdëruar dhe mes tjerash më tha:-Ky i "imponon" këngët vetë (deshi të thoshte komponon), por meqë nuk e dinte domethënien e shprehjeve "imponim" e "komponim" nuk e zgjata më tepër, por i thashë:-Meqë, "imponuaka" muzikën e vet, atëherë, njëmend qenka i mirë...-E po unë çka po flas deri më tani. -Hajde tash ta ngremë një dolli. Nxori nga fioka e tavolinës një uiski dhe dy gota të vogla me ujë mineral.-Gëzore, gëzore!-Heu bre, shprehje të çuditshme, por…Unë u pata bërë si i shurdhër kur ai më pyeti: - T'i heq këto qime këtu? - Heqi edhe këto tjerat .- S'ka problema, -më tha. - Pa, pa, pa, edhe një shprehje tjetër e re. Nga kureshtja për të mësuar se nga i kishte mësuar këto shprehje të reja e pyeta se ku i kishte lexuar… E, ai, duke rrahur gjoks më tha:-Unë, zotëri e përcjell shtypin dhe fjalorin!?!...-E përcjell, e përcjell edhe fort mirë bile, pirolla të qoftë!?-Harrova ta pyes se cilin fjalor dhe cilin shtyp e përcjell. Në cilën faqe të tyre kishte hasur në shprehje të tilla.Sidoqoftë, ai kishte formuluar disa shprehje në thesarin e vet të të folurit që e quante "Të folurit e gramatikës së shqipes" dhe tani mburrej para botës për kinse fjalorin e pasur të të shprehurit. Dhe… Nuk është vetëm berberi im që flet kështu. Të tillë ka mjaft. Ç't'i bësh, nganjëherë njeriu duhet të bëhet shurdhmemec e të mos dëgjojë të tilla shprehje nga individë të tillë.
-Duhet po si?...
HAPNI SYTË …
Në jetë, thonë çdo gjë është relative, dhe çdo gjë e mundur. Megjithatë, nganjëherë dëgjohet edhe fjala "absolute". Keni dëgjuar për ndonjë imperator apo sundues, të thonë se ka pushtet absolut. Nuk mund t'i ikë asgjë nga dora. Ndoshta ka të tillë, por edhe atë e sundon dikush.
E po, kush është ai që mund ta sundojë imperatorin? Kujt i frikësohet ai?
Po, ja: Imperatori ka grua. Gruaja është ajo që ka lindur tri ditë para dreqit dhe e vetmja qenie në botë që ka mundur ndonjëherë ta mashtrojë atë.
Ajo, pra e ka futur dreqin në shishe. Cili nga burrat e ka bërë këtë? Dhe cili do ta bënte se?
E shihni? Gruaja e sundon imperatorin, apo edhe e mashtron. Do të thotë se as imperatori më i egër nuk mund të ketë pushtet absolut.
Tash dikush do të pyes: Ç'të hyn në punë kjo gjë? Sikur nuk ke se me çfarë të merresh.
Megjithatë unë do të merrem, por jo me pushtetin e imperatorit apo të sunduesit por me relativitetin dhe të mundurën.
Sa i përket definicionit dhe teorisë, atë ia lë fizikanëve dhe shkencëtarëve që u morën me këtë çështje… Por, do të shpaloj diçka tjetër.
Çdo gjë është e mundur.
Mund të vdesësh dhe prapë të ringjallesh.
Bile kështu e thotë libri i shenjtë.
Do të ringjallemi në moshën tridhjetë e dy vjeçare. Mosha më e mirë e njeriut. E mundur është që pasi të ringjallemi të hamë gjellërat e të pijmë pijet më të mira që kurrë në jetën tonë nuk kemi mundur t'i kërkojmë.
Pastaj e mundur është që të shoqërohemi dhe mbase të hyjmë në vallen e dashurisë me femrat më të bukura që ekzistojnë.
E mundur është që shpirti jonë pas vdekjes të zë vend në trupin e ndonjë insekti apo kafshe të butë a të egër.
Në jetën tjetër që do të kemi pas vdekjes, do të mund të bëhemi artistë Holivudi apo këngëtarë opere etj.etj.
E shihni pra, çdo gjë është e mundur.
Por, edhe në këtë jetë është e mundur që nga një bari dhensh, apo nga një zejtar të bëhet njeriu politikan me zë. Apo e kundërta nga një politikan i shquar të kthehet në bari dhensh apo zejtar, ose edhe në lypës rruge.
Po, po, edhe të tillë që do të jetonin në kurriz të qendrës sociale apo të ndonjë shoqateje tjetër bëmirëse.
Mirëpo të shpallet njeriu për së gjalli i vdekur këtë nuk e kam menduar asnjëherë. Jo që s'kam menduar por as më ka shkuar mendja se mund të ndodhë ndonjëherë. Megjithatë edhe kjo ndodh në ditët e sotit. Ndoshta ka ndodhur edhe më parë. Porse kjo të ndodhë në kohën e kompjuterizmit e të punës së robotëve?!.
Shkoi Herifi në ofiqari për të kërkuar veten në listën zgjedhore. Pasi u kontrrolluan të gjitha listat, u konstatua se emri i tij, nuk figuronte askund.
Kërkuan pastaj letërnjoftimin, për çudinë e të gjithëve, në numrin rendor të tij shkruante "i vdekur".
-E pamundur?!... -u habit ai.
-E mundur edhe mirë bile. -ia ktheu nëpunësi.
-Me ju diçka nuk është në rregull apo më duket...
-Ndoshta... por, të lutemi lëshojeni zyrën se kemi punë.
-E po si do t'ia bëjmë kësaj pune?
-Kësaj pune i kemi vënë kapakun me vdekjen e këtij personi.
-Po unë...
-Ti ik nga ke ardhur sa nuk e kemi ftuar policinë.
-Po unë...
-Çka ti?
-Unë jam personi që ju mendoni se ka vdekur.
-E pa mundur. Ky person ka vdekur dhe pikë.
-Shikojeni fotografinë në letërnjoftim, i ngjajë unë atij, apo jo?
-I ngjan vëlla, si veja vesë.
-E shihni, pra?
Tani shko. Eja një ditë tjetër shkruaje një kërkesë për të të kthyer në librin amëz të të gjallëve. Deri atëherë, ruaju mos të të ndodhë diçka se nuk do të përgjigjet askush...
Dyshoni ende në formulimin: çdo gjë është e mundur? Andaj ju sugjeroj të keni kujdes dhe…
HAPNI SYTË…
LEXUESIT E GAZETAVE
Më kënaqen sytë dhe jo vetëm ata por edhe shpirti, kur shoh mbishkrimet në qoshkun e "Rilindjes": " "Bujku" është shitur", "Koha Ditore" është shitur".
Njëmend mbetem shpesh pa to, por me vete them: ndashtë, bile nuk mbeten në qoshk të pashfletuara.
Një gaz më përcëllon trupin. Si duket njerëzit ngadalë zgjohen nga gjumi. Marrin vesh në kulturë, apo ndoshta vetëm shtiren si ai farë "shkruesi i fjalëve" them kështu edhe pse mjaft për të madh e zë veten?!
Mburret "herifi" për dijen që "ka".
E posa ta marrësh një shkrim të tij në duar do të gërditet shkrimi e besa edhe leximi.
Nuk ndalet ai, besa… shkaravit në letër lidhje e palidhje.
Bën intervista e të intervistuarit e mbajnë për të madh ngase nxjerr xhepi kartëvizitat dhe të them të drejtën ia mbush mendjen se është gazetar i madh.
Po! Njëmend është "gazetar i madh"…
Sidoqoftë po kthehem te të lexuarit e gazetave e revistave që tani kanë filluar njerëzit t'i zgjojnë nga gjumi.
Shiten ato (gazetat) për sa hap e mbyll sytë dhe mua më bëhet qejfi...
E kujt nuk i bëhet...
Shitja e një gazete do të thotë botimi apo mundësia e botimit të numrit të nesërm. Edhe sikur të mos e lexojnë, mjaft do të ishte që t'i përcjellin titujt. Apo vetëm ta kenë në shtëpi.
Ç'është e vërteta shpesh me to dhezin zjarrin, pshtjellojnë dhurata e sende tjera, por ç'e do...
Me rëndësi është se ato kanë filluar të shiten e bile të them të drejtën shitësit ua lehtësojnë punën. Derisa më parë duhej të punonte tërë ditën për të shitur gazetat, tani posa t'i shesë e mbyll qoshkun dhe bën punët e veta.
E pse të rrijë ashtu kot së koti kur
Po orari i punës?... do të thotë dikush.
Kush po të "kqyrë" bre vëlla?
Punën e vet e kryen e ç'do ti?...
Asgjë jo!
Hesht pra!
Dhe njerëzit heshtin.
Gazetat shiten e sa për t'u lexuar nuk është punë imja, as ytja, as...
Po, mirë, pse shkruajnë gazetarët?
Shkruajnë për të plotësuar normën e bile dikush edhe për të kapërcyer atë e të mbushë xhepat me para.
Heu bre!
Kjo nuk më ka shkuar ndër mend!?... Rrahin herifat probleme të shumtë e besa nganjëherë i sjellin vetes, familjes e shoqërisë halle të shumëta e këta thonë për "të plotësuar normën". Fare nuk turpërohen.
Ja që jemi duke jetuar në një kohë amullie kur as qeni nuk e njeh të zotin dhe duhet të durohet çdo gjë.
Me rëndësi është se ato shiten. Bile edhe tirazhi që patë filluar të bjerë tashti ka zënë e po rritet e sa i përket mjeteve që tubohen nuk ka rëndësi ku janë dhe kush i harxhon.
Kryesorja -më tha një ditë një gazetar i mirëfilltë -më japin sa për të ekzistuar.
U çudita. Të them të drejtën, gazeta shitet sa hap e mbyll sytë, këndej gazetarët ankohen në pagat e vogla...
Thashë me vete: Ata nuk punojnë për para por për të mbajtur vital trupin...
Sa i përket parave ato i lënë në buxhet të qeverisë...
Aferim! Gjest i mrekullueshëm.
Për këtë duhet shpërblyer por nga kush se...
Nga zoti! Ashtu mendja ma thotë.
VIZITAT "MIQËSORE"
Një fjalë popullore thotë: "Mos u bëfsh të të qajë katundi". Po hyre në gojë të tyre s'të lanë dreqi as i biri.
Në një anë ta lëmojnë e anën tjetër të faqes ta kafshojnë.
Mburren burrat e botës kinse ndjejnë dhembshuri e duan të na ndihmojnë... Po s'morëm dizgjinat në dorë, vaj halli për ne...
Vijnë nënministra, ministra e besa edhe kryeministra dhe rrahin gjoks: Do t'ju mbajmë gjallë. Do t'ju ushqejmë dhe ç'është e vërteta atë e kemi bërë gjithnjë. Po të mos jemi ne ju do të vdisnit urie !? E çka nuk flasin se...
Të bëhet t'i përqafosh e të mos i lëshosh fare nga përqafimi nga droja se do të ikin e do të mbeteni pa kafshatë goje e pastaj...
Por, populli e thotë edhe këtë "Ka që e hanë, e ka që nuk e hanë".
Nëse keni qenë ndonjëherë në peshkim, keni vërejtur se ndonjë peshk është mendjelehtë, e ndonjë që nuk e "gicë" trohën e bukës në gjilpërë.
Dhe peshkatari, alias ti apo ai tjetri, tërë ditën do të piqeni në diell e në mbrëmje do të ktheheni pa zënë asnjë peshk...
Peshqit (në këtë rast) masa popullore tanimë e vetëdijshme nga këto kurtha që vazhdimisht përgatiten nuk po e "hanë" t'u duartrokasin atyre që po rrahin gjoks pa u turpëruar fare si "Gjeldeti". Dhe pas lavdëratave e kritikave që i bëjnë popullit e shtrojnë një drekë apo një darkë të majme dhe... dhe ndonjë nga eshtrat e imë të peshqëve mund t'u lëndojë gabzherrin!
Ha, ha, ha, ha !
Ndodhi që pas konstituimit të qeverisë së re shqiptare ndër të parët, të na vizitojnë fqinjtë e "vullnetit të mirë".
Një udhë e dy punë.
T'u urojnë mandatin dhe t'u ofrojnë ndihmat e para.
Pas gostitjes së mirë dhe pritjes vëllazërore, si zakonisht, mysafiri organizon edhe konferencë për shtyp.
Për dallim prej tjerave, të vetme që nuk dështojnë asnjëherë.
Të gjitha konferencat tjera ku do të shqyrtohej armatimi e ndalja e ndonjë konflikti apo lufteje, që më parë janë të dënuara të dështojnë.
E pse ?
Po ja që gjithnjë në krye të tyre gjenden njerëz të cilët ose kanë nën okupim ndonjë shtet ose kanë koloni edhe në këtë kohë.
Merreni me mend sa do ta luftojë ai armatimin apo ndaljen e konfliktit e...
Ndërkaq konferencat për shtyp, organizohen për të promovuar veten dhe "idetë" e veta.
Aty nuk guxon të ketë provokime nga gazetarët se pastaj do të "mirëpriten dhe mirësillen" nga të autorizuarit e mbajtjes së rendit publik.
Më mirë do të ishte që të shënojnë vetëm të dhënat e organizuesit dhe "pëst" me gojë të mos bëjnë.
Përndryshe...
Po ja që edhe aty qëllon ndonjë gazetar i "krisur" dhe bam e në sy, apo siç thuhet ndryshe: ia thotë sheshit!
Hiç më pak e hiç më shumë, por nga ai kërkon përgjegjen "na doni apo jo"? Ose "përziheni ju në punët tona apo jo" ?
Dhe më drastike është (natyrisht për ta) kur gazetari kërkon të dijë se a ishin edhe ata të përzier në trazirat që u bënë te ne ?!.
"Miku" ynë kërkon shtegdalje. Dhe me një fjali i kërcënohet gazetarit, por jo vetëm atij:
"Mos e kafshoni dorën që ju ushqen" !?
Obobo!
Ç'na gjeti!
Po të mos kishim një "mik" të tillë do të vdisnim jo vetëm urie, por edhe etjeje. Shyqyr zotit!
Them, shyqyr zotit edhe këtë do ta përsëris disa herë.
Kemi "miq" të tillë që na mbushin barkun "ushqim"?!
Zoti dhe "miqtë" tanë gjithnjë mendojnë për ne. E po si të mos mendojnë, kur na kanë "sevgjyl" dhe jo vetëm "sevgjyl", por edhe "për hasret".
Pastaj jemi më i vogli "sugar" apo jo?
Të vegjlit gjithmonë i duam më tepër, hë…
Po n'u rritshim ndonjëherë ?!...
PO TË ISHA …
S'di pse, por ja që edhe mua nganjëherë më shkon mendja të bëhem lider. Lider politik ama... E po a ka dikund në ndonjë vend tokësor e ujoro-tokësor njeri që ecën në dy këmbë e që ka së paku dy fiqire mend e të mos shpresojë në liderizëm!? Andaj edhe vendosa ta përgatis një elaborat që do ta paraqisja para masës. Pika e parë që do ta parashihja në atë elaborat do të ishte një fjalim i zjarrtë me plot patetizëm e patriotizëm. Jo vetëm që do t'i shënoja fjalët që do t'i thosha para masës por edhe lëvizjet. Të gjitha do t'i bëja me një skenar që nuk e ka përdorur deri më tani asnjëri. Ky skenar, siç thashë edhe më parë, do të dallohej nga të tjerët. Aty do të parashihja edhe garderobën, (timen, edhe të truprojave) ngase aty mund të ndodhë çmos. Truprojet do të më rrethonin nga të katër anët për të më ruajtur nga ndonjë sulm i armiqve apo edhe i konkurentëve që do t'i kisha. Sipas skenarit (truprojet) do t'i hapnin sytë, katër do t'i bënin dhe për këtë do të shpërbleheshin. Do të parashihja sjelljen, të qeshurit etj. Nuk do të qeshja vend e pa vend. Tërë kohën do të shikoja në masë. Do të përcillja disponimin e tyre dhe sipas nevojës ose do ta zgjasja ose do ta shkurtoja fjalimin. Pastaj do të parashihja dhe do t'i vendosja në disa vende nga nja tre-katër veta që do të më duartrokisnin pas çdo katër-pesë fjalive të lexuara nga referati. Me të dëgjuar duartrokitjet e tyre edhe masa do të duartrokiste dhe fjalimi im do të arrinte efektin e dëshiruar. Ky efekt nuk do të ishte më i vogël edhe po të kishte ndonjë fishkëllimë të rrallë. Kjo do të ishte normale. Unë do të buzëqeshja dhe do të vazhdoja fjalimin sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Me të kryer të fjalimit do të vazhdonim diku në ndonjë lokal, ku do të drekonim dhe të pinim deri vonë. Aty do të kryhej puna më e madhe. Do të komentoheshin mendimet e mia të shfaqura në fjalim, e aty këtu do të më rrahte ndokush shpinën duke më pranuar mendimin e shfaqur. Në këtë drekë (që do ta heqte ndonjë nga sponzorët) do t'i caktonim njerëzit që do t'i angazhonim nëpër sektorët komunal e shtetëror. Sponzorët do t'i caktonim nëpër shumë projekte. Ata do t'i nxirrnin mjetet e harxhuara për darka e dreka të majme. Nga ai moment (prej fjalimit të parë) do ta konsideroja veten: lider. Do të siguroja një veturë dhe shoferin personal i cili do të ishte edhe sekretar personal. Sa për planin ekonomiko-juridiko-shoqëror, nuk do ta theja qafën. Do ta lija ashtu të shkruar në letër dhe me kaq do të merrte fund puna. Kësaj i thonë "ujku i ngopur e dhentë në numër". Do të thotë: Unë lider i madh, masa dëgjues i mirë... Sa për realizimin e elaboratit kujt (s') i ha palla...
METEOROLOGËT
Do ta sulmojë NATO-ja Serbinë apo jo?Unë them jo. Dikush nuk do të pajtohet me mua. Ka të drejtë. Por, të drejtë kam edhe unë. Për sulm ajror, duhet të pajtoheshin të gjitha vendet e paktit NATO, pastaj edhe shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit. Siç dimë në këtë Këshill bëjnë pjesë Rusia, aleate e hershme e Serbisë si dhe Kina. Këto dy shtete me mish e me shpirt do të kundërshtojnë sulmin. Po, ama Rusia i ka hallet e veta. Dua të them ka krizën ekonomike. -do të thotë prapë dikush. Dakord! Prapë ke të drejtë, por sulm ajror ta dish nuk do të ketë. Për këtë të jesh i bindur. Do të shihni, sesi do të pranojë kryesuesi i Serbisë të gjitha kërkesat e rezolutës së OKB-së. Do të dalë para opinionit me arsyetim se vendi i tyre ishte i ballafaquar nga kërcënimet e NATO-s dhe më e arsyeshme do të ishte që ta ndalte luftën dhe të ulej në tryezën e bisedimeve me kosovarët. "Kjo nuk është kurrëfarë tradhtie" do të thoshte ai, por një shpëtim i atdheut nga sulmet e mundshme ajrore që do të ishtin të kobshme për të gjithë! Ai do të lavdëronte më tej qëndrimin dinjitoz të serbëve dhe do t'i dekoronte me medalje për "paqe" dhe "humanitet". Më pas do të pasonin telegramet përmbajtëse që nga bashkësia më e vogël lokale deri te organet më të larta federale. Ai do të shpallet shpëtimtar i vendit dhe i kombit. Do të shpallet, pra, Mesi. E Mesi ka pak siç e dini edhe ju. Do të krahasohet me Jezuin, me që edhe ai ishte mesiu i dërguar i Zotit. Dhe thua ti se nuk do ta sulmojë NATO-ja Serbinë? E thashë dhe mbetem në këtë konstatim timin.Pos kësaj që thashë më lart, duhet ta keni parasysh se rezolutat që i bien këshillet e ndryshme të OKB-së, i kanë fazat e veta. Kjo e fundit (1199) ka tri fazat e aplikimit. E këto tri fazat, secila ka nga tri fazat e ato nëntë fazat e përfituara nga tri fazat e para edhe nga tri tjera e kështu me radhë... Siç e shihni edhe vetë nga tri fazat e planifikuara të aktivizimit të rezolutës dalin faza të panumërta që do të duhej jo vetëm ditë e muaj por edhe vite për ta realizuar. Brenda asaj kohe do të pillnin probleme të reja botërore që do të kenë prioritet të zgjidhjes urgjente dhe çështja jonë do të mbahej në hije. Dikur do të lodheshin të gjithë dhe puna do të përfundonte me kaq. Po, ama kësaj radhe Amerika e ka me gjithë mend. Ajo si duket nuk do të lëshojë pe. Jo që i dhembsemi aq shumë, por ka drojë nga lideri Serb. Ngase siç e shihni edhe vetë synon të bëhet lider botëror. E këtë nuk mund më ta tolerojnë amerikanët. Bile çuditem kur kundër tij ngriten edhe aleatët e tij shumëshekullor siç janë Anglia dhe Franca. Si duket edhe atyre është duke u "shkuar në nerva". Kushedi, mbase!? Edhe ne jemi bërë si djemtë e atij fukarasë. E si është puna e tij? Duke punuar një fukara te një zotëri, gjatë një pushimi në drekë i thotë zotërisë: Zotëri, i kam dy djem si dy bilbila. Gjithnjë e dijnë se kur do të bjerë shi e kur do të nxejë dielli. Si more? Si është e mundur kjo? Shumë lehtë zotëri. Njëri thotë: Nesër do të bjerë shi, e tjetri thotë: jo po do të nxejë dielli. Dhe njëri ia qëllon. E shihni? Janë bërë meteorologë të mrekullueshëm. Njëmend punë për t'u çuditur!?
BALLKANI DHE VJETËRSIA
Çfarë do të më bësh, do të ta bëjnë fëmijët! - më pat thënë, nëna ime e ndjerë jo njëherë. Këtë fjali e përsëriste sa herë që e nervikosja. Apo ndoshta edhe i dukej ashtu. Sidoqoftë ajo i përmbahej maksimës "Ç'i bën prindërve do të ta kthejnë fëmijët". Dhe njëmend ashtu ndodhi. Ajo në rininë e vet, para tridhjetë vjetëve, edhepse e martuar, udhëtonte me dhjetëra kilometra në ditë edhe atë dy herë. Në mëngjes shkonte në fshtain e lindjes për t'u kujdesur për nënën e sëmurë (gjyshen) e në drekë apo nganjëherë në mbrëmje kthehej poashtu në këmbë për t'u kujdesur për neve fëmijët. E ne ishim gjashtë kalamaj (prej gjashtë deri në katërmbëdhjetë vjeç). Ashtu ajo bëri me muaj të tërë. Qëlloi edhe t'ia mbyllë sytë nënës. Ajo e mirë iu kthye pas tridhjetë viteve. Tërë kohën derisa lëngoi nga një sëmundje e shkurtër por e pashërueshme, nuk iu largua asnjë moment asnjë fëmijë i saj. Bile edhe e motra e vizitonte dhe qëndronte me net të tëra. Besoj se pushon e qetë dhe e kënaqur në tokën e amshueshme. I qoftë hallall mundi ynë! Po unë dua ta elaboroj një tjetër gjë që ka lidhje me maksimën e sipërpërmendur "Ç'i bën prindërve ta kthejnë fëmijët" apo edhe maksima tjetër "Ç'i mendon tjetrit të kthehet ty". Fati jetësor i shqiptarëve kish qenë i tillë që të jetojnë në shumë shtete evropiane. Mirëpo, të gjithë si mëmëdhe konsiderojnë Shqipërinë. Po, ama, Shqipëria apo më mirë të them qeveria e mëmëdheut tonë, për çfarë na zë... Në të parë, nga eksterieri duket se qajnë hallin tonë. Mirëpo, po të hymë pak më thellë shohim se palla s'u ha bile se ka dikund jashtë kufijve të Shqipërisë shqiptarë që flasin shqip dhe që kanë një gjak e vdesin për të njëjtat tradita, zakone e të njejtin flamur. Bile, thënë troç, deri para dhjetë vjetëve, do të thotë deri diku në fund të viteve të tetëdhjeta, kishin menduar se na ka mbetur vetëm emri shqiptar dhe se një fjalë shqip nuk e ditkemi. E të mos flasim për shkolla dhe universitete në gjuhën tonë. Paçka, do t'ua falim! Koha ishte e tillë kur ata vdisnin për ideal e parti e sa për komb e kishin lënë për një kohë tjetër. Po, ama, koha tjetër si duket erdhi shpejt dhe i zuri me kafshatë në fyt... Liderë të tërë u ngritën dhe u munduan me një patetizëm euforik, duke shfrytëzuar çështjen e pa zgjidhur të Kosovës dhe shqiptarëve në ish Jugosllavi, ta merrnin timonin e shtetit shqiptar në duar. Dhe arritën. E morën. Besa dhe zëri iu ngjir duke bërtitur nëpër mitingje dhe në fund "pordhi Ahmeti i Sulës". E, po, kështu e ka puna e filluar me hile.E mbaj në mend mirë një mendim të një politikani shqiptar që vepron dhe jeton në Maqedoni. Ai aso kohe, kur lideri i demokratëve të Shqiprisë ia vuri ndërskamcën, pati thënë: Këtë që e bënë këtu te ne, pas disa viteve do të reflektohet në Prishtinë e më vonë në Tiranë. Dhe s'vonoi shumë. E njëjta ndërskamcë iu përgatit liderit shqiptar në Prishtinë, po nga ky individ, por pa sukses. Në gropën që bëri për të, ra lideri i demokratëve të Shqipërisë. Dhe... Dhe ra... Po, po, ra vetë në të. E tash prapë bërtet sesi iu vodh fotelja me dinakëri. Po, mirë -do të thosha unë -nëse fotelja iu vodh, le të pres disa vite, le të punojë më tepër për të gjithë, jo vetëm për partinë e vet dhe le t'u marrë prapë timonin vjedhësve. Po, ama, ku ta gjejmë një politikan shqiptar të tillë. Në Amerikë luftojnë dy kandidatë deri ditën e fundit për të fituar postin e presidentit, mirëpo me të shpallur rezultatet, humbësi i uron të posazgjedhurit dhe do t'i ofrohet si ushtar në radhën e parë të ushtrisë. Ç'flet gjepura more ti, ajo është Amerikë e jo Shqipëri. E po ne a po e konsiderojmë veten për më të vjetrit në Ballkan... E ç'lidhje ka këtu Ballkani dhe vjetërsia!?... Nuk e di se ç'lidhje ka kjo, por do të duhej të mendosh dhe ta analizosh maksimën shumë të qëlluar: "Ç't'i bësh...të kthehet..." Ashtu!? Po si...
LOZHA NË PARAJSË
Në fshatin tim, edhe pse jemi në shekullin e kompjuterizmit, fjalën kryesore e ka hoxha. Do të ishte krejt në rregull, poqëse ai do të kishte qenë i shkolluar. Po, ja që ka vetëm një kurs të cilin e ka kryer para tridhjetë e sa viteve e ndoshta dyzet, te miftia i atëhershëm dhe ka marrë titullin "Mulla..."Këtë titull ia ka dhënë po ai mifti, por ama ia ka pranuar edhe Meshiati i Bashkësisë Islame dhe shteti. Ndërsa të rinjtë që vijnë me diploma të universiteteve arabe, rrinë të papunë duke pritur vdekjen e hoxhallarëve më pleq. Të them të drejtën, hyjnë në gjynah duke lutur zotin që "t'ua merr shpirtin më të vjetërve e të zënë nga një vend pune". U përzihen në punë të gjithëmëshirshmit e fuqiplotët. Në xhami mund të punësohen më së tepërmi një imam dhe një muezin. Bile diku nuk ka vend as për muezin... Po ta lëmë tani këtë dhe të vazhdoj aty ku e pata. Fjalën kryesore, e ka ende hoxha. Ia jep fjalën kujt të dojë dhe ia merr kur të dojë. Njerëzit janë bërë imun në këtë dhe sikur janë kompjuterizuar. Hoxha i fshatit tim flet nëpër ndeja më tepër se kushdo tjetër si për politikë, astronomi, mjekësi, bujqësi etj, etj. Askush nuk guxon t'ia prishë, ngase do të përjashtohet nga ndeja. Sipas tij edhe xheneti do t'u takojë vetëm atyre që do ta dëgjonin dhe do t'u bindeshin urdhërave të tij. Sipas tij njeriu më i afërm yni do të ishte ai i cili e përqafon fenë tonë apo ai i cili ka lindur si bashkëfetar yni. Atij nuk i interesuaka vëllai nga gjaku, por nga feja. Feja është më e rëndësishme se kombi!?. Unë mundohem të jem fetar. Mundohem t'i kryej obligimet që më takojnë, por të bindem se kam më të afërt (fjala vjen) një banor të Marokos, apo Senegalit sesa një shqiptar me emrin Pjetër, Zef e Pashk!? Jo, për këtë nuk do të më bind asnjëri. Do ta nderoj çdo njeri, por ta mohoj vëllain nga gjaku, assesi. Po ama - më tha një ditë një plak (mik i hoxhës), Zefi e Pashku ruajnë derra!?. Kjo është arsyeja.. E vërtetë është se me Kur'an e kemi të ndaluar ngrënien e mishit të derrit. Por kjo nuk do të thotë se për këtë shkak duhet mohuar një vëlla nga gjaku. Si ta doja më tepër një arab se një shqiptar. Kjo do të ishte qesharake. Bile edhe arabi nuk do ta kuptonte një gjë të tillë. Do të na merrte për të çmendur dhe ndoshta do të na injoronte, ngase ai që mohon të vetin s'mund ta dojë të huajin. Ti do të digjesh në ferr - më tha një ditë hoxha, ngase e kundërshtova. Më mirë në ferr e pa ty, sesa në parajsë e t'i shoh jargët e tua duke ngrënë mish pule e... Ndoshta gabova, por nuk munda ta duroja. Besoj se zoti nuk do të ma merrte për të madhe që u shpreha në këtë mënyrë. Duke u mbështetur në thëniet e Zotit në Kur'an, njerëzit e tillë si hoxha ynë, deri në mesditë i urrejnë të gjithë e pasdreke edhe vetveten. Andaj, shpresa më mban se Zoti do të më falë dhe do të më shpërblejë me një ulëse në "lozhën" e parajsës.
DEXHALLI DHE KAMERA
Në fëmijëri më ka rastisë të dëgjoj shpesh plakat t'i mallkojnë fëmijët me shprehjet "dexhalli i thiut" dhe që atëherë e kam mbajtur mend këtë shprehje e assesi ta kuptoja domethënien. Mirëpo, me kohë e kuptova (sipas sqarimeve të plakave) dexhalli duhej të ishte i madh si vigan dhe do të duhej ta kishte një sy në ballë. Mu si çiklopi. Do ta përpijë botën -thoshin- Po të paraqitej, do të ishte fundi i jetës në tokë!?... Ne si fëmijë, dronim të bënim ndonjë të keqe, e bile as fjalë të këqija nuk thoshim për të. S'i dihej, mund të jetë fundi afër, të lajmërohej dexhalli e pastaj... ... Pastaj vaj halli për ne. Prandaj, më mirë të ishim të kujdesshëm, ndoshta do të ketë mëshirë dhe do të na gëlltisë pa dhembje. Këtë vendim do ta kisha ende po të mos lexoja këto ditë një libër shkencor-fetar të një autori të njohur polak i cili kishte doktoruar në shkencë. Një mendim i tij më shashtisi të tërin. Ai mes tjerash thoshte: "Dexhalli është paraqitur dhe po e gëlltitë botën, e me të edhe neve"... Hyqmyrilah!? -thashë me vete, është ky në numër apo jo?
Dexhalli të jetë lajmëruar diku në botë, apo siç thotë ai në tërë botën e ta gëlltisë, e me të edhe neve e të mos kuptoj unë për këtë...Por, mbase...jo, jo,...nuk do të jetë e mundur. Ndoshta edhe e mundur. Sa më përket mua, nuk e kam ofenduar asnjëherë "dexhallin". Nuk e kam zënë në gojë, as për të mirë e as për të keq. Besoj, nuk do ta ndjej gëlltitjen. Mbase do të më përmbushej frikëdëshira e fëmijërisë...
Ndoshta! Ndoshta!?
S'i dihet fatit, apo jo!
I fërkova sytë mirë e mirë, lexova edhe njëherë këtë mendim "famoz" për mua. Duhet të ketë lozur nga mendja. - thashë, kur u binda se sytë nuk më gënjenin. Kishte shkruar mu ashtu siç edhe lexonin sytë e mi. Po, ama, ky do të ishte fundi i botës. Neve si duket na paska lënë për darkë. -mendova me vete dhe vazhdova leximin. …Më poshtë, arsyetimi i tij.
... Të jeni të bindur - thotë ai - kam të drejtë...
E si? - do ta pyesja unë.
Por ai nuk ishte aty. Andaj vazhdova të lexoja shkrimin që në dukje të parë më dukej fantastik dhe utopi. Mirëpo, me të parë emrin "Kamerë" dhe "Televizor" çdo gjë m'u qartësua.
Shkon njeriu në fund të botës me kamerë, inçizon dhe ne këtu në anën tjetër të botës e shohim...
Eu!… -thashë me vete -po ku i ka rënë në mend kjo se!?...
Njëmend kishte të drejtë. Jo vetëm që e shohim në televizor, por njëmend kamera është dexhall i vërtetë. Ajo ka një sy dhe nëpër atë sy përpin tërë botën...
Nuk i shkon kujt në "fiqir" se ky mund të ishte "dexhalli" i plakave...
E po pse të mos ishte fundi i botës, (sipas plakave) kur tani nuk ka send që nuk shohim në televizor. Ka humbur ai turpi i atëhershëm kur as gruaja burrit e as burri gruas nuk ia dinte vendet e fshehta. Jo, jo, tani nëpërmjet televizorit e duke i "falënderuar" syrit të Dexhallit, kamerës de... i shohim edhe të fshehtat e femrave dhe meshkujve në fund të botës. Ata, fare nuk e dinë se ne këtu ia dimë sekretet. Apo ndoshta edhe e dinë, por nuk çajnë kokën për të.
Një plakë, të cilës i ndihmova një ditë më uroi me fjalët
-U bëfsh "dexhall!"
-"Dexhall!?"
-Po, po, u bëfsh i madh dhe i dishëm si ai.
Mu duk qesharak urimi i saj. Porse, një mendim m'u soll rrotull: "Dexhalli" sheh edhe atë që ne nuk e shohim.
Dexhall se jo mahi!. S'ka diskutim...
Urim i mirë, apo jo!...
NË DREQ TË MALLKUAR...
Seç iu tek njërit një ditë e më pyeti:
Ç'është lufta?
Lufta, a?...
Po, lufta de...
"Pyetje banale" thashë me vete. Po, a ka kush që s'e di. Sa thjeshtë: kapen dy vetë mes vete e për të mos i lyer duart me gjak, paguajnë ndonjë të tretë që t'i kryej disa atentate (sa për sy e faqe) apo si thotë populli sa për të larë "mut me shurrë" dhe pastaj do të pasojë të publikuarit e vrasjeve nëpër gazeta e televizione dhe sa hap e mbyll sytë kërcet...dua të them krisë...
Çka krisë?
Pushka, de!
E ç'punë ka pushka tani...
E si ç'punë? Po lufta si bëhet "pa pushkë a"?
Mirë e ke ti, por lufta nuk bëhet vetëm me pushkë.
Po me se...me hamam, a?
Ha ha ha ha ha ha!
Pse qesh mor i uruar "luftën e nis dhe e kryen pushka" apo thënë ndryshe plumbi. Po, po, plumbi tingërr e në ballë dhe lufta nis e prapë plumbi, tingërr e në mes dy syve, do të thotë në lule të ballit dhe lufta mbaron. Ndryshe as nis, as përfundon. E more vesh tani? apo do të ta vizatoj në letër.
Unë mendoj - do të thoshte një i tretë, se lufta është gjithëfarësh dhe as nis e as përfundon kurrë. Luftë bën edhe fryti që ende gjendet në fetus të nënës...po, po, luftë bëjnë edhe mikroorganizmat për të mbijetuar si parazitë në organizmin tonë...Po, edhe diçka tjetër: Lufta nuk është gjithnjë agresive. Ajo mund të bëhet vetëm sa për të ekzistuar, apo thënë ndryshe sa për kafshatën e gojës. Tjetri do të luftojë për të vjedhur, i treti për të shtuar pasurinë e trashëguar. I katërti për të pirë djersën e punëtorëve, edhe atë në emër të "demokracisë" apo siç do ta quaj dikush tjetër në emër të "kapitalizmit realist"...
I pesti apo i gjashti do të luftojë për pushtet, për informata, pastaj do të luftojë për...
Për çka?...,
...Për dreq të mallkuar?!
Mos u nxej de, mos u nxej.
Dikush tjetër do të luftojë me mjete të ndryshme që të bëhet i pari në nahije apo edhe në shtet. Ky do të mundohet me mish e me shpirt të sundojë "demokracinë" më falni do të sundojë në emër të "demokracisë"... Ky, është më i rrezikshmi.
E pse?...
...Se ky nuk njeh as vëlla, as motër, bile as nënë e as baba për nga gjaku. Ai njeh vetëm idenë, dua të them ideologjinë... Për atë njerëzit nuk do të ishin qenie të gjalla që dinë të mendojnë me kokën e tyre por vetëm "aparate lëvizëse" të kurdisura sipas vendit, kohës dhe hapësirës.
Do të ngritet burri i botës e do të premtojë, por gjithnjë në emër të demokracisë dhe të mirës së atdheut të dashur: Do të premtojë kthimin të gjitha pasurive të konfiskuara dhe paratë e vjedhura...e bile do ta bëjë edhe të pamundurën të mundur.
Populli si populli më...nuk di sherr dhe tërrt e votën në kutinë e tij dhe posa të merr postin e kërkuar, ai do të fillojë udhëtimet e tij. Së pari do të hipë në aeroplan për t'i parë njerëzit e vegjël sa grima e pastaj do marrë udhëtimin me anije. Jo me aso që peshkojnë, por që gjuajnë e përgjuajnë "armiqtë" e popullit dhe për të pastruar "idetë" dhe "gjuhën" e të menduarit. Se helbete nganjëherë mendon greqisht e flet shqip e nganjëherë mendon serbçe e flet junançe... Pasi ta kryej edhe këtë mision të shenjtë, në tokë e pret automobili luksoz, e më vonë banja në njërin nga hotelet e venddimërimeve në malet Sharr e Korab dhe puna merr fund me kaq...
E premtimi i tij... paratë dhe pronat tona?
Atë do ta merr lumi.
Nuk do të druaj se dikush do ta pështyjë në fytyrë a?
Cilën fytyrë?
?!?
Do të thotë paratë duhet...
...Paratë i kërkoni, e thashë edhe më parë, diku në hotelet e dimërimeve të malit Sharr...
Do të thotë se prapë duhet luftuar...
E po siç e thashë edhe më parë lufta s'ka as fillim as...
Muleni burra sa s'është bërë vonë.
...Le të shkojë në dreq të mallkuar!
"VJEDHËSIT" NË PERËNDIM
Kish ardhur një mik imi në pushim nga puna e "përkohshme" dhe vendosa të shkoj ta vizitoj. Si të mos shkoj kur ishim së bashku shtatë vjet në shkollë fillore dhe ç'është me rëndësi ishim shokë të një banke. Po, ja që atij herifit nuk i shkoi se nuk i shkoi shkolla, në klasën e shtatë të fillores, tre arsimtarët e tri lëndëve kryesore apo siç thonin ata "lëndë kyçe" ai i Kimisë, i Fizikës dhe i Matematikës i kishin vënë njësh në ditar dhe miku im përsëriti vitin. Por ne, vazhduam me të vjetrën, do të thotë me shoqërimin. Me të kryer shkollën fillore, ai e ndali shkollimin. Filloi të punonte në shtëpi. Në fillim e bleu një gomar e dikur një kali dhe të them të drejtën puna e malit i shkonte si mua detyrat e matematikës. S'ke vëlla pse të xhelozosh, jepja dorën njerëzve të tillë. Për disa ditë kishte bërë një grumbull alamet të madh të drunjve dhe të them të drejtën, fitonte më tepër se babai im që punonte me vite në organizatën punuese apo siç i thoshin organizata e trafikut të hekurudhës. Ky farë miku im për një kohë të shkurtër kishte bërë para dhe çdo ditë shkonte në kinema. Atëherë ishin në "modë" filmat uestern. Ndodhte të shikonte tri herë të njëjtin film edhe atë (Vinetu-apaçin dhe Ollçedër-Hendin). Mirëpo, nuk u kënaq me këto, ngase pas martesës e sidomos pas lindjes së fëmijës së parë, i shtyrë nga gruaja, vendosi të dilte në një shtet perendimor për t'u punësuar -siç më pat thënë atëherë (në nisje), "Po shkoj në Zvicër që të fitoj sa për të blerë një traktor për të lavëruar dhe për të bartur dru". Ishim përqafuar si vëllai me vëllanë. Të dyve na patën shpëtuar lotët. Të them të drejtën atëherë mërziteshim kur ndonjëri prej shokëve ndahej përkohësisht. Nuk mund ta paramendonim jetën pa njëri-tjetrin. Tani ndryshuan kohërat. Shkojnë e vijnë njerëzit nga perendimi e unë e tjetri nuk dëgjojmë fare. S'di në është dinamizuar jeta më tepër apo kemi gajlet tona e për të tjerët nuk na ha palla, s'e di jo... Shkova për t'u takuar me mikun tim të vjetër që aso kohe pat shkuar për të blerë traktor dhe për t'u kthyer. Ai jo që bleu traktor, por edhe truall. Ndërtoi shtëpi, bleu veturë. Shtëpinë ta bëri "kallamoq" siç thonë këtu te ne e t'u bë si është më së miri. Mua që më shkonte matematika, fizika e kimia, e kreva fakultetin por ç'e do: Për të ngrënë kam, por për të shkuar në det jo?! Për t'u veshur me elegancë poashtu s'kam, paratë m'i marrin ata të elektrodistribuimit. Veturën jo që nuk e përmend, por as guxoj të mendoj, ngase marr një rrogë vetëm sa për të blerë rezervuar benzini e pjesët tjera duhet (që nëse kanë llogari prodhuesit) të m'i japin me rata?!Miku im kur më pa u gëzua pa masë. Me t'u përshëndetur nxori nga vitrina një pako cigare "Marlboro" dhe një shkrepsë. Këto t'i solla dhuratë. Nuk është ai fitim i moçëm, filloi ai. Tani punojmë sa për të mbetur gjallë. Ju këtu e kishit një jetë besa fort të mirë. I shoh njerëzit tërë ditën e lume rrinë nëpër kafene. Atje nuk kemi kohë e as mundësi materiale ta bëjmë këtë. Për nder ua kam lakmi juve...Pa, pa, pa, Selatini, ngelavçi të bëhet kaq i mençur. Po, po, më i mençur nga të gjithë ne. E pse, ngase kishte para, e paraja thonë e rrotullon botën. Prandaj, më shet mend sesi njerëzit këtu nuk punuakan gjë. Hajt, bacë, hajt t'u rritë mendja e të shkoftë gjithmonë muhabeti. "Ne atje e ju këtu". Sikur të ishim të huaj e jo vëllezër e miq të një kombi. Ja që herifi punon gati njëzet vjet jashtë vendit dhe tani ne jemi bërë të huaj. E di ti për çfarë ke shkuar atje? -i thashë unë. Ai vetëm pohoi me kokë sikur desh të thoshte "e di, si nuk e di!" Mbete njëzet vjet dhe s'mendon të kthehesh. Fëmijët i ke marrë dhe ua ke rregulluar vizat. Ne këtu të dukemi papunëtorë. Nuk e sheh ti krizën që na ka kapluar. Ke ti për vete e për të tjerët s'të ha palla. E mban në mend apo jo, kur blenim bukë furre dhe suxhuk e atë e hanim së bashku? Edhe atëherë kishim krizë, e kriza nuk u hoq as sot për ne... Edhe atje ka krizë. Bile ka edhe të papunësuar. Çdo ditë ka pakënaqësi në mesin e qytetarëve dhe dalin rrugëve dhe brohorisin jashtë "autsajderët" më tha ai. Por të them të drejtën po vjedhin shqiptarët e nuk po lënë gjë pa bërë. Po ti s'ke vjedhur kurrë? Sikur ke harruar kur shkoje me gomar në mal për të marrë dru? Ajo për ty nuk ishte vjedhje. Tani të bëjnë përshtypje vjedhjet e të tjerëve. Kjo nuk është punë e hijshme, e di edhe unë, por po të pyes o mik i dashur a po vjedhin ujë shqiptarët? Jo! më tha. E, po e sheh, ujë kanë, nuk u duhet... Ama... S'ka ama, vetë e the se ujë nuk vjedhin. Do të thotë se vjedhin gjërat që u duhen e nuk mund t'i blejnë!? Ai s'diti si të më përgjigjej, unë e piva kafen dhe u ngrita. Nuk e di, e kisha me gjithë mend atë që e thashë apo jo.
PUSHTETARËT DHE MOTI
Njëherë, në një vend, me një ndejë të përzier, njëri u ngrit dhe tha: BURRAT JANË BËRË SI RETË E VERËS, vetëtijnë e murmurojnë e një pikë shi s'e lëshojnë. Të pranishmit qeshën me të madhe e më së tepërmi kjo e thënë e tij u pëlqeu grave. Bile të them të drejtën ato e kishin vërtetuar herët këtë, por për ta thënë nuk e kishin thënë dot. Kjo tani vërtetohej nga një pjesëtar i gjinisë mashkullore, apo siç e përdorin në TVSH "SEKSI MASHKULLOR": ...Grave, nuk u kishte ardhur fare çudi për këtë konstatim të atij farë herifi, por për të qeshur kishin qeshur më me afsh, dhe kishin vjedhur me sy shoqja-shoqen.Secili nga të parnishmit kishin vënë gishtin në kokë dhe kishin menduar në vete "a thua ç'deshi të thotë ky", por për ta pyetur s'e kishin pyetur dot. Ç'punë tani hyn moti i verës me sjelljen apo bërtimën e burrave. Secili në mënyrën e vet kishte gjetur përgjegjen ashtu siç u kishte konvenuar.I pari kishte menduar se kjo e thënë, kishte të bënte me burrat nervoz që tërë ditën bërtasin e kush nuk ua vë veshin... I dyti mendonte se duhej të bënte fjalë për ata burra që flasin pa lidhje dhe u përzihen grave me vend e pa vend...etj. etj. Secili, mendonte se nuk bënte pjesë në atë grup meshkujsh. Ai i cili do ta kishte gjetur veten në atë grup nuk do të mendonte fare se ç'kuptim kishin ato fjalë, por do të arsyetohej para vetes me fjalët: Punë e madhe, bërtimën time e dëgjon vetëm gruaja ime e nuk ma vë veshin fare, po pushtetarët kur bërtasin apo premtojnë?! Ata i dëgjon bota dhe asgjë kërkujt. Bile s'e çajnë kokën për kërkend. I dëgjoi masa, apo jo, premtimet e tyre apo edhe kërcënimet, bile as palla s'u ha. "E po, pse t'i hante palla kur e marrin veten për zot". Kur u kalon mandati, atëherë arsyetohen se si kanë qenë të bojkotuar apo të sabotuar nga individë të ndryshëm, përndryshe do të punonin edhe më tepër se ç'kishin premtuar e jo më t'i kryenin vetëm ato të premtuarat. Nuk do të turpëroheshin që të kërkonin edhe një mandat katërvjeçar e mbase do t'i kryenin të gjitha punët e premtuara e ndoshta edhe më tepër. Pushtetarët e sotëm, premtojnë që edhe ëndrrat e ndryshme të qytetarëve t'i shndërrojnë në realitet. "E pamundur" do të thoshte dikush, por "e mundur" do të thoshte pushtetari dhe ne duhet t'i besojmë se për këtë arsye e kemi zgjedhur. Si bëhet që ta zgjedhim e pastaj të mos i besojmë?! Kjo nuk është e drejtë, apo jo. Llomotisin ata, llomotisin, mu si moti i verës, por shi askund. Shiu -thonë - është shumë i shtrenjtë në verë. Fjalët e pushtetarëve kanë rënë në lirim ngase janë në suficit. Dikush do të thoshte "pushtetarë kemi me suficit". Po, po, plotësisht do të ketë të drejtë. Më mbushet mendja se nuk ka qenie të gjallë që di të flasë dhe shkrimleximin e të mos ketë ambicie për pushtet. E pse të mos ketë, kur dihet se do t'i gëzojë të gjitha të drejtat, që nga vozitja deri te shtrirja në kolltuqe luksoze... Pastaj mbi të gjitha edhe epitetin: "Pushtetar"...
TI AGË, UNË AGË, PO KAFET...
Duke u kthyer në shtëpi, nga një shetitje me gruan e fëmijët, takova fqiun tim që ende edhe në këtë kohë të kompjuterizmit, shet dru me gomar për të siguruar kafshatën e gojës. Më përshëndeti si gjithnjë dhe vazhdoi rrugën. S'di në kishte dalë në shetitje të zakonshme apo për të blerë diçka. Ngutej që të arrinte sa më shpejt në shtëpi e mua m'u duk se në mendje kishte po atë mendim që ditë më parë më kishte shfaqur në sokakun tonë. Derisa unë laja veturën, m'u afrua dhe pasi më përshëndeti më tha: Ka kohë që më preokupon një gjë… Unë pa e ndalur punën me kokë të ulur e me duar të bëra qull nga uji e ndërpreva... Hë bre, fol, ç'po të mundon? Ka kohë -tha ai prapë -që më preokupon një gjë e s'më le të qetë. Mirëpo, para se të tregoj, ç'po më mundon dua të ta bëjë një pyetje. Nuk e ndala fare ngase ngutesha ta pastroja veturën, meqë më pritnin fëmijët dhe gruaja për të shkuar diku. Mirëpo, me të dëgjuar shprehjen "pyetje", nga kureshtja ngrita kokën dhe për një kohë ndala punën. Do të doja -tha ai -të ma sqarosh dallimin e shprehjeve "Demokraci" dhe "Liri".Hë, thashë me vete më mori djalli. Më zuri belaja me të. Kisha dëgjuar se dinte ta ngushtonte bashkëbiseduesin me ndonjë pyetje, edhe pse në dukje ishte i thjeshtë me një veshje modeste e një ecje luhatëse. Të them të drejtën më zuri ngusht. Nuk dija si t'i përgjigjesha. Definicionin e asnjërës nuk e dija saktësisht. Mbase, do t'ia sqaroja me fjalë të thjeshta, por do të pillte edhe diç tjetër. Pastaj një pyetje të tillë as që e prisja nga ai. Fundja, ç'i duheshin domethëniet e tyre. Ato, i kishim mësuar vetëm në teori. Dikush do të ngritej e do të thoshte: E keni shijuar sadopak lirinë, tani edhe demokracinë. De fakto kishim një liri, por de jure nuk ekzistonte. E po ç'jetë patëm deri tani. A nuk ishim të lirë të ecnim, të hanim, të shkolloheshim, të punonim, të gënjenim, të mashtronim, pastaj të pinim e të flisnim... Të flisnim?! Po. Të flisnim vetëm atë që u konvenonte atyre. Kujt atyre? Pushtetmbajtësve de! Duhej që për pushtetin të punohej me krejt vrullin. Pastaj të këndohej dhe t'i kushtoheshin këngë, vjersha etj. Secili mundohej që të bëhej më patriot se tjetri duke kritikuar shokun e vëllain, sesi e prish vëllazërim-bashkimin me popullin tjetër fqinj. Dhe sekush mundohej që të takonte dhe mundësisht të bisedonte me pushtetarë e pastaj të lavdërohej nëpër oda sesi kishte folur me filan politikanin dhe se i kishte thënë këtë e atë. Kishte të tillë që lavdëroheshin sesi i kishin zënë ngusht me pyetjet e tyre bajate. Kishte edhe të atillë që tërë ditën e lume punonin me qerre nëpër fushë e në mbrëmje bënin politikë me fjalë. Kur dikush i pyeste se ku e kishin dëgjuar apo lexuar një mendim të tillë, ata ziheshin ngusht dhe për t'u treguar edhe më të mençur thoshin: As lexoj Rilindjen, as dëgjoj lajmet e komentet në TV se...shihni ato gënjejnë.
Të gjitha që i them, i them nga mendja e shëndoshë!?.
I zënë ngusht nga pyetja e tij, ftohtas i thashë se ç'i duhej atij të dinte se ku është dallimi i demokracisë dhe lirisë?
Kam ndërmend -tha ai -të shkruaj një libër, ku do të shtjelloj problemet politike të shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë. T'i hyj -vazhdoi ai -zhvillimit historik si në aspektin politik poashtu edhe në atë ekonomik gjatë historisë.
Pa, pa, pa, mendova me vete. E kishte me gjithë mend apo tallej me mua. Të shkruante një libër për shqiptarët...
E ke me gjithë mend? -i thashë.
Me gjithë mend e kam.
Po, mirë. E di ti se nuk do ta kesh lehtë?
Vështirë, lehtë, unë do t'i hyj kësaj pune.
Mirë, mirë, por...
Mua më duhet vetëm të ma sqarosh dallimin e demokracisë dhe të lirisë, e sa i përket problemit tjetër s'do të heq fort.
Po mirë, ke lexuar ti ndonjë vepër çfarëdoqoftë? E di ti problemin politik të shqiptarëve? Ke gjurmuar ndonjë dokument nëpër arkivet botërore? Të ka rënë në dorë ndonjë nga rezolutat evropiane apo të senatit amerikan për shqiptarët? Ke përcjellë punën e të dërguarve special të Vensit e Ovenit?
Ato as që më interesojnë -më tha -ata janë dhe ishin njerëz të shitur që nuk ia donin të mirën shqiptarëve. Unë dua që me mendime të mia ta shkruaj një libër voluminoz...
E di ti se do ta kesh vështirë? -i thashë prapë. Asgjë nuk është e vështirë nëse punon me ngulm.?!?
Ai edhe më tutje fliste e fliste, por mua më kishte ikur mendja te veprat e shkrimtarit e akademikut Rexhep Qosja. Ashtu në mendim e sipër sikur më shpëtoi fjalia: Alamet doktori i shkencave e njohësi i mirë i problemit shqiptarë, nganjëherë nuk ia qëllon e lëre më ti...
S'di, e thashë këtë me zë të lartë apo jo. Nuk isha i sigurt. Ai edhe më tutje llomotiste diç por unë as që ia vëja veshin fajlëve të tij.
Sonte, prapë, posa e takova mu kujtua e gjithë ajo bisedë e asaj dite dhe mendova ta pyes në kishte filluar përpilimin e atij libri famoz. Po, ja që s'e pyeta fare. Ai eci para e unë i fusja mendimet si gjethet e duhanit në vargje për t'i terur. Gjilpëra si duket ishte ndryshkur dhe i thyente ato një nga një. Shikova qiellin. Ishte vrenjtur por për të rënë pikë shiu nuk binte. Dikush tha: Si duket edhe zoti ka parë se kemi devijuar nga rruga e drejtë e do të na denojë siç e bëri edhe tri herë më parë me disa që nuk e dëgjuan Nuhin e të tjerët që ai vetë kishte dërguar në tokë për të udhëhequr njerëzit e për t'u treguar rrugën që duhej trasuar. Meqë nuk ishin bindur, ai i kishte fundosur të gjithë me fuqinë e vet. Kjo na kërcënohej edhe neve.
Mos o zot! -doli një klithmë nga brendia e shpirtit.
E po si të mos na ndodhë një gjë e tillë kur edhe sot e kësaj dite kur njerëzit luftojnë me kompjuterë, dikush mendon të bëhet brenda natës shkrimtar apo studiues e njohës i historisë se njerëzimit. Neve na presin edhe sprova tjera. Ngase të gjithë duam të merremi me politikë, të gjithë të bëhemi udhëheqës e askush të punojë?! Si do të arrihet deri te kjo, kushedi?!?
Dhe sakaq m'u kujtua një maksimë:
Njëri i thotë shokut:
Ti agë, unë agë, po kafet kush do të na i bëjë?!
K U SH E D I !?...
KONKURS
Mbi hapjen e disa vendeve të punës
Njoftohen të gjithë të interesuarit që janë të papunësuar që në afatin e caktuar të këtij konkursi të lajmërohen në adresën e poshtëshënuar për t'u punësuar me kohë të pacaktuar pasi që organizata jonë humane bëmirëse që lufton për të drejtat e njeriut dhe kundër njeriut me statut e ka të rregulluar që punëtorët e vet nuk i pensionon kurrë. Ata do të jetojnë edhe pas vdekjes. Do të dekorohen dhe herdokur do t'i merren dekoratat për t'iu dhënë prapë në një kohë tjetër.Dekorimet po ashtu jepen me konkurs të shpallur. Ndërkaq merren pa konkurs për t'u dhënë prapë pa konkurs.
Kushti i parë për punësim:
1.Personi fizik duhet të jetë fizikisht dhe psikikisht i shëndoshë.
2.Duhet të dijë të flasë e të përgjërojë.
3.Të jetë besnik ndaj organizatës.
4.I dëgjueshëm.
5.Nuk kërkohet kurrëfarë kualifikimi.
Lutjen me dokumentet e kompletuara duhet t'i sjellë personalisht në lokalet e organizatës në fjalë.
Po qe se nuk e di adresën mund që dokumentet me dorë të vet t'i lë në ndonjërën nga kafiteritë e qytetit, pasi që ne kur nuk kemi ç'bëjmë, rrijmë në kafene dhe përgjërojmë.
Ata që punësohen në këtë organizatë e numri i të punësuarve nuk është i kufizuar do të fitojnë titullin "Patriot".
Detyrat e patriotëve të punësuar në organizatën tonë, nuk do t'i cekim në këtë konkurs, por ato duhet ditur dhe duhet të merren me një seriozitet të madh. E para prej të parave duhet të jetë: Të flasësh vetëm të flasësh, bile edhe të trillosh për organizatat tjera simotra, kështu që organizata jonë të ketë primatin mbi të gjitha. Edhe kur nuk ke se çfarë të thuash për to, duhet të trillohen gjëra. Kjo besojmë se nuk është vështirë.
Afati për dorëzimin e dokumenteve në lokalet e kësaj organizate apo nëpër kafiteritë e qytetit është i pacaktuar.
Urdhëroni në organizatën tonë ku punësimi është më i lehti në rruzullin tokësor.
RRAHAGJOKSËT LETËRNXIRËS
Shpesh po i zë në gojë, apo të them "në gojë" letërnxirësit. Demek, ata që e dhunojnë lapsin e letrën. Sa here që i nxë në gojë, apo edhe në letër, gjithnjë më bë bie në mend e më sillen llojlloj mendimesh.
Burrat e botës nuk e bëjnë fare me mend se sa kilogram peshë mund të ngrisin. Dhe e dini se ç'mund të ndodhë me personat e tillë?
-Ua them unë. Me të kapur një peshë të rëndë që nuk mund t'ia durojnë muskujt e shpatullave, bijnë, por jo hundë e buzë.
Jo, jo, bijnë bythë-prapë.
Po bënë e ranë pak si keq, vaj halli për ta. Edhe diçka: po qe se vuajnë nga hemoroidet, jo që do ta ndotin vetveten, por edhe rrugën nga ecin.
E kuptuat?
Dhe fare nuk turpërohen. Të mjerët.
Nuk do të ishin të mjerë po qe se nuk dinë të shkruajnë, por do të ishin edhe më të mjerë, po qe se nuk ia dinë vetes hallin. Të tillë ka jo me thasë, por me vagonë.
Shkarravisin burrat e botës nëpër letër e ajo duron çdo gjë!?
E thashë edhe më parë, se shkarravisin, ani, por ama edhe kur rrahin gjoks se janë më të mirët, apo se i takojnë elitës krijuese, atëherë…
… Ec e mos plas!
Vjen ndonjë nga Vokshi apo edhe nga Podrimja dhe përzihet aty ku nuk e kanë vendin. Apo aty ku nuk i përket atyre, apo ku nuk ka me nder me thane "kakiçkë".
Dhe fare nuk turpërohen se…
E po pse të turpërohen kur ne vetë e hipim në qiell, ngase na qenkan, nga disa vende të dëgjuara apo jo. Pastaj, jetojnë nëpër kryeqendra dhe rrijnë gjithnjë nëpër kolltuqe të mira apo edhe kanë pasur rastin të rrijnë më parë.
Duhet, pra, edhe ne që t'i bëjmë nder, meqë ata vetes gjithnjë i kanë bërë nder e ç'do të na gjente neve që të mos i bënim së paku nga njëherë apo jo?!!….
Për çfarë more flet? -më pyet dikush.
Flas more për ata që gjithnjë i kanë bërë dhe po vazhdojnë t'i bëjnë "temena" vetes.
Përndryshe, unë ata do t'i quaja edhe rrahagjoks apo "gjeldeta".
Au, bre?!
Po, pra!
Vijnë, burrat e botës dhe na shesin mend. Jo vetëm mend, por edhe diçka tjetër. Me nder me thanë…
Nuk e them atë të fundit, se përbaltem edhe vetë. "Do t'ju ndihmojmë!".
Po, po, "do të na ndihmojnë" ata neve pa asnjë kompensim.
Po pra, do të na ndihmojnë, duke i redaktuar dhe vlerësuar veprat e autorëve tanë.
Nga "kujdesi" e kanë. "Na duan me shpirt" dhe vuajnë për ne.
Ata janë më të ditur se ne.. Ama në shkarravitjen dhe letërnxirjen e tyre…
Po mirë, ç'të keqe ka këtu? -do të pyeste dikush.
Asgjë, jo! -do t'ia ktheja. -sikur ta njihnin letërsinë; sikur të kishin vepra të njohura, krejt në rregull, por kur ky propozim na vjen nga disa që mezi e kanë botuar nga një vepër, atëherë…
Po edhe sikur ajo vepër të jetë lexuar nga lexuesit dhe të ketë lënë ndonjë gjurmë. Do të pajtohesha. Por, kur nuk i kujtohet askujt, bile as titulli, atëherë, kjo çështje s'do analizë.
E të tillë sot, thashë edhe më parë, jo që ka me thasë e vagonë të trenave, por mund t'i mbushim edhe anijet që edhe ashtu na mbyten si shpesh në Brindizi dhe prapë do të mbeten mjaft.
Mos bre?!
Po, bre, po!
Hajt medet për ne!
Hajt medet, pra!?
I DI ZOTI PUNËT E VETA
Ndodhi një ditë të vdiste një fqi imi. Kishte mbushur të shtatëdhjetat po, ja, që, prapë si njeri i mirë që ishte na u dhimbs. Vinin njerëzit në ngushëllim, apo si thuhet këtu te ne (në gajret) dhe secili në mënyrën e vet i ngushëllonte anëtarët e familjes së të ndjerit.
Te ne është zakon që të ngushëllohen anëtarët e familjes së të ndjerit me fjalët:
"Mos u mërzitni, u pjekshi në xhenet me të". Është apo jo ngushllim i mirë dhe me vend nuk e kemi shqyrtuar këtë asnjëherë.
Hapim dyert, para derës vëmë një ulëse, të cilës i vëmë një peshqir. Pritja e ngushllimeve zgjatë një javë. Më pas i mbyllim dyert, hiqet ulësja, por ngushëllimet pranohen ende.
Sidoqoftë, kthehem te vdekja e fqinjit tim. Vinin njerëzit dhe shprehnin ngushllime.
Njëri nga kushërirët e largët të të ndjerit, pasi kishte dëgjuar fjalët e të pranishmëve që nuk ndaleshin duke i ngushëlluar familjarët me fjalët: "Ende ka mundur të jetojë…", "…Në kohën më të mirë…" "Por, Zoti… punë e tij është kjo…" etj, etj. U ngrit e tha:
-More, zoti nuk më pyet, se po të më pyeste nuk do t'ia merrte shpirtin të ndjerit, por këtij… -e bëri me dorë nga një kushëri i tij, i cili s'linte gjë pa bërë. Si thotë populli "Dy ve bashkë nuk i lë!"
-Mos, bre, mos hyn në gjynah!
-Gjynah thoni është të mendoj kështu?
-Gjynah, gjynah! -thanë disa më pleq, që besonin në Zotin dhe që nuk e linin asnjë namaz pa e falur.
Ndërkaq i përmenduri, vër me gojë nuk bënte, ngase kushëriri i tij i dinte të gjitha të zezat që ai njëmend i kishte bërë. Po, ama nuk i rrihej në një vend.
-More ti ke ardhur në ngushëllime apo për të më denoncuar mua?
-Jo, jo, nuk kam ardhur të të denoncoj, por vetëm desha të them se Zoti nuk na pyet se kujt duhet t'ia marrë shpirtin. Kaq e pata unë.
-Mos u përziej ti në punët e tij. E di ai mirë se kujt ia merr shpirtin…
…Dhe, besa po të mos ndërhynin të pranishmit, nuk do të zgjaste shumë dhe do t'i merrnin stupcat e "Vap e vap…" njëri - tjetrit…
Situata u qetësua paksa dhe filloi një bisedë tjetër. Po, ama puna e Zotit sillej e pështillej e prapë vinin te "pyetja dhe mospyetja e tij".
I di Zoti punët e veta, apo jo?!…
I di -thoshte i pari.
Edhe unë mendoj ashtu! -thoshte i dyti.
Nuk i di?! -ngritej e thoshte i treti.
Si mor nuk i di?
I di, ndoshta, por nuk vepron drejt.
Mos se gjynah është, mos hyn aty nga nuk mund të dalësh!
Drejtësi ju i thoni, që dikush të lahet me venë e dikush të mos ketë ujë të pijshëm?! Drejtësi i thoni ju faktit që dikush gjuan njerëzit me lloj-lloj ëmbëlsirash e diku-diku nuk kanë miell në magje?
Drejtësi i thoni ju që dikush ecë lakuriq rrugëve dhe flen nëpër parqe, e diku-diku nuk guxon të flejë njeriu në shtëpi të vet?
I di zoti këto apo jo?
Dhe prapë do të ngritet dikush e do të thotë: I di, di e ç'ke me të!…
Edhe unë them që i di, por ai ka punë tjera më të rëndësishme se këto, andaj ne do të heqim derisa ai t'i zgjidh problemet tjera!
Jo, more?!
Po, more!…
SHEKULLI I ELEKTRONIKËS
Për shekullin tonë thuhet të jetë shekulli i elektronikës. Me fjalë të tjera, shekulli i kompjuterizmit. S'preket asgjë me dorë. Të gjitha punët kryhen me trusjen e sustave. Trus sustën e kompjuterit dhe ai t'i jep të gjitha informatat e duhura. Bile, ta tregon edhe orën. Dhe, jo vetëm kaq.
Ai t'i jep të dhënat për secilin njeri. Të kërkon njeriu vajzën për djalë, apo edhe e kundërta, ta ofrojnë ndonjë vajzë për djalë, s'ke nëvojë të pyetësh askë:
Jo, jo. Trap sustën e kompjuterit dhe, ja, biografia, jo vetëm e tij, por edhe e babës dhe babagjyshit… Punë e lehtë apo jo?
Rroftë elektronika.
Rroftë kompjuteri.
Dhe kompjuteri nuk gënjen.
Ndodhi e u prish?!.
Eh… edhe të dhënat përzihen…
Më ndodhi, pra, që këtyre ditëve të më prishet televizori e jo kompjuteri. M'u prish, ngase ai nuk është aq i mençur e të mendojë për krizën që na ka kapluar e të pres, bile, deri në marrjen e rrogës.
E ftova mjeshtrin e televizorit dhe pas shumë premtimeve, erdhi për ta evituar problemin.
Ti, -më tha ai, -me se merresh?
Paj, -ia ktheva, -unë shkruaj nganjëherë diçka, Mirë, besa! -ma ktheu, -mos mbetshim pa ju shkollarët. Se ju jeni trungu i popullit. Këtë e them kudo që arrij, por… -më tha ai.
Këtë "por" e zgjati bukur shumë sa që më bëri përshtypje se çfarë do të thoshte… -si duket, njerëzit nuk ju kuptojnë, bre aq shumë… Ç'e do, aq kemi shkollë ne të tjerët dhe nuk ju kuptojmë e besojmë se ju na kuptoni, apo jo?
Ky mendim i tij më nxiti të flas.
Po, -i thashë unë, -Njëmend ke të drejtë. Bile ta them të drejtën që ti je i pari që po i kuptuake sendet ashtu si duhet. Të tjerët, bre vëlla, nuk interesohen fare për jetën tonë. Nuk i ha palla se kemi të kryer diçka dhe se për atë duhet nderuar nga shoqëria. Bile, bile, një kasap ka më shumë prestigj në shoqëri, sesa ne që kemi të kryer fakultetin. E të mos flas për njerëzit që kanë të kryer ndonjë zanat.
Jo, jo, mos fol ashtu!
E si të mos flas, -tashmë isha nxehur edhe më tepër, -kur nuk na bën për pesë para askush. Kupton ti apo jo? Nuk i ha palla askujt se ne jemi yndyra e popullit…
…Trungu i popullit… - më ndërpreu mjeshtri.
Jo, jo, trungu i popullit, se ndodhë që trungu të kalbet dhe të rrëxohet për dhe… Jo, jo, nuk është ashtu, ne jemi yndyra e popullit. Ngase jemi të nxjerrë nga populli mu si yndyra nga qumshti… Ai nuk më kundërshtoi, e kreu punën e vet që pati dhe në fund e kërkoi hakun. Haku i tij ishte shtatëdhjetë marka gjermane!?
Shumë, bre? -i thashë, -unë këtë shumë nuk e fitoj për njëzet e katër ditë pune…
Nuk është shumë, jo! -ma ktheu ai. -Për këtë kam kryer zanat tri vjet. Ky është haku im.
Desha apo jo, duhej t'ia paguaja hakun. Njëmend kishte të drejtë. Ne të shkolluarit ishim trungu i popullit ama "trungu i kalbur" që vetëm sa s'ishte rrëxuar në tokë, e mjeshtrit e elektronikës ishin "yndyra".
E po ç't'i bësh secili i ka nga pesë minuta në jetë!…
Ndërsa mjeshtrit?
Eh, ata e kanë në disponim tërë jetën!…
LLOMOTITËSIT E KAFENEVE
Ju ka rastisur, sigurisht, të hyni në kafene, të uleni me ndonjë mik tuajin në ndonjë tavolinë të lirë dhe pasi të keni porositur ndonjë lëng e ta keni shtruar bisedën, të jetë ofruar ndonjë i tretë dhe pa pyetur fare, të jetë ulur te ju e t'ju ketë thënë: "Është e lirë apo jo?"
?!?…
Apo: pasi të ulet "Besoj se nuk ju pengoj!"
?!?…
Juve nuk ju ka mbetur asnjë shteg tjetër, pos t'i dëshironit "mirëseardhje" me një gjysmë zëri.
…Dhe fare nuk do të ketë ngurruar për të porositur ndonjë pije.
Jo vetëm kaq. Por do ta ketë filluar bisedën aty ku do të kishte arritur, apo edhe, ndoshta do ta ketë ndërprerë temën e filluar nga ju, ngase tipat e tillë të njerëzve nuk ua varin veshin halleve të të tjerëve, por do ta orientonin bisedën, apo do ta çonin gjuhën aty ku do t'i dhembte dhëmbi i tyre i krimbur…
Nuk do të ngurronte, ai farë "heriiifi" të shtronte tema të ndryshme të bisedës që do të ishin të lidhura me interesat personale…
Më ndodhi, kjo mua.
Hyra në një kafene dhe pasi gjeta një vend të lirë, u ula dhe porosita një kafe. Nuk arrita as ta përziej sheqerin, kur një "patriot" u ul pranë meje. Kërkoi një kafe?!
-Besoj se nuk të pengoj!?
Desha s'desha, mohova me kokë, por zëri m'u ngjir. As gëk nuk munda të bëja.
Më zuri halli. Ai as që ma vuri veshin se në pohova apo mohova me kokë.
-I sheh ata dy që rrijnë aty pranë dritares? Ah shejtanat që janë… Ani më shtiren se janë patriotë… Patriotë të hamamit janë… Eu ta dish se ku i kam parë para disa ditëve, vetëm unë e di… Ani, me kend se?!…
Të them të drejtën as isha i interesuar për një bisedë të tillë, ngase e dija se ky farë "herifi" merrej me intriga.
Shiko -më tha, -e di ti që unë me këdo nuk flas, prandaj edhe po t'i them këto… E kur t'i thotë dikush këto fjalë dije se secilit i thotë dhe nuk je i pari që do t'i ketë thënë… Sido që të jetë, ai vazhdonte të llomotiste dhe të përgojonte dy personat që pinin kapuçino në po atë kafene.
"…Burrat e botës, mburren për patriotizmin që kanë e andej s'lënë gjë pa bërë. Po, po, e ne druajmë edhe të përshëndetemi me disa njerëz të etiketuar si "të ndershëm…"
Më fal, -i thashë, -më duhet të shkoj se nuk kam kohë dhe nuk jam i disponuar të të dëgjoj…
Si ashtu, s'të vjen turp. Njeri i shkolluar je. Të kam ardhur në tavolinë. Jo, jo, nuk bën kështu. E di ti kanunin?… Jaaa, ju që keni një çik shkollë nuk ia varni veshin kanunit. Ju nuk dini çka është nderi, as respekti, besa nuk e dini as mirësjelljen…
Më fal, por… desha ta ndërpres… "S'ka më fal, unë nuk jam në zor për një kafe tënden. Nuk u ula këtu të ta pi kafen nga ti, por të bisedoj, ngase të çmoj, por ti si duket nuk e meriton respektin tim…" Dhe, brofi në këmbë, ende pa e marrë veten, doli nga kafeneja.
Kafenë, u desh ta paguaja unë.
Të nesërmen dola përsëri dhe hyra në po të njëjtën kafene, porosita kafenë. Në të njëjtën tavolinë ishin ulur po ata dy që ishin një ditë më parë, por tani me ta ishte edhe ai farë "herifi" që mundohej të ma "lante" trurin një ditë më parë.
Bisedonte ai që ç'ke me të?!…
Heu, bre?
Më bëjnë a s'më bëjnë sytë?!
Kishte shtruar muhabetin me ata dy "patriotët", siç i quajti dje, e për çfarë bisedonte, nuk mund ta dëgjoja, po sigurisht e përgojonte dikë?!…
Mbase edhe mua!?
E, pse jo?
JARANI I PITES
Në daç të të duan të tjerët, atëherë duhet t'u përmbahesh disa rregullave në jetë. P.sh., do që t'i kesh punët mirë me një të pasur, mos ia kthe fjalën asnjëherë. Edhe kur nuk ka të drejtë. Më të fuqishmit, mos i dil përpara. Rrahja shpatullën.
Hajnin mos e nguc me fjalë se do të kthehet dhe do ta vjedhë edhe miellin në thes.
Bletët mos i ngacmo në kohën kur del bari i parë se…
Siç e shihni, pra, po t'u përmbaheni këtyre rregullave të pashkruara do t'ju del më mirë.
Si të duroheni?
Bëhuni se nuk dëgjoni dhe nuk shihni.
Do ta blej këtë mall, me këtë çmim, - do të thotë i pasuri!
Bleje!
Do të dal i pari në turne, - do të thotë i fuqishmi.
Do të dalësh!! - ktheja.
Unë nuk jam hajn! - do të thotë hajni.
Nuk je?!
Ja sa lehtë. Do të ndaheni të kënaqur.
Ndodhi që një ditë të rrija me një njeri të njohur për pasuri dhe filluam të llafosim. Ai nuk fliste edhe aq shumë, por as për të dëgjuar nuk dëgjonte. Çdo gjë që unë e potencoja i dukej shumë e qartë dhe e lehtë. Nuk mund të kuptonte se ka gjëra që nuk mund të përtypen…
Gabim e ke. Kjo nuk bëhet kështu.
E po si bëhet? -ia ktheva.
Me mund, me djersë!
Dëgjoje ti "jaranin e pites"! Dëgjoje dhe ngjeshu duke qeshur.
"Jarani i pites" më mësuaka sesi duhet punuar. Po, po, ai i ditka të gjitha, prandaj edhe kishte ardhur deri te pasuria që kishte.
Të them të drejtën nuk munda të durohem. E si të durohesha kur një i pafytyrë rrah gjoks se i di të gjitha. Sikur unë dhe tjetri nuk e ditkemi sesi arriti ai pasurinë…
Heu, bre!
Hapu tokë e të hyj i gjallë në dhe!
Po, ja, që nuk munda t'i thosha gjë. Po t'i thosha se nuk e kishte me vend do ta hidhëroja dhe nuk do të më jepte hua. E pa hua, sot a jetohet? Prandaj heshta. Heshta që ç'ke me të.
Desha ta kundërshtoj, por ja që m'u kujtua thënia: Mos e hidhëro atë që do t'i lutesh. Dhe të them të drejtën nuk më doli keq. Pohoja me kokë dhe nuk ia vëja veshin fare se ç'thoshte "jarani i pites"…
Si? -më tha. -Ku mund të fluturojë arusha!…
Jo, nuk mund! -i thashë.
E po, atëherë, pse pohove me kokë, kur thashë se kam parë duke fluturuar arusha?
Jo, jo, nuk mund të fluturojë.
Epo, atëherë?!
Nuk paskam dëgjuar mirë. Jo, jo nuk fluturon.
Ashtu, pra!
Po, po!
Herave tjera vënia veshin se çfarë them!
Posi!…
E po ku më hyn mua n'udhë se a ka të drejtë apo nuk ka ai.
A mos ndoshta duhet ta drejtoj botën unë, a?
Ai farë "Arkitekti" që e ka bërë "projektin" e tokës ka menduar për të gjithë dhe, në fund kërkon llogari prej secilit për atë që bën.
Unë nuk jam as i dërguari i tij as farë këshilltari apo korrigjuesi. Dua të them se nuk do të kërkojë Zoti llogari nga unë për "rrahagjoksët" dhe gënjeshtrat e dikujt.
Kështu mendoj unë, e, ju si të doni!…
KRITIKA LETRARE DHE "KRITIKUCËT"
A vyen kritika letrare?
Jo, -them unë.
Po! -thotë tjetri.
Dhe që të dy kemi të drejtë.
E si?
Ja, si?!…
Kam të drejtë të shpreh dyshim në kritikët letrarë. Janë mësuar "herifët" ta përdorin të njëjtin fjalor për secilën vepër. Përdorin disa shprehje që i gjejnë diku në fjalorin e termave të rralla, e ndoshta as vetë derisa kanë hasur në ato shprehje nuk ua kanë ditur domethënien. Formulojnë mendime që rrallë kush i kupton. Pastaj marrin edhe disa shprehje nga letërsia, dua të them, nga teoria e letërsisë dhe… ja, kritika…
Po a vyejnë gjë?
Hiç!
Do të ngritet tjetri e do të më sulmojë.
Gabim e ke! Kritika jonë letrare vyen dhe pirolla u qoftë kritikëve që punojnë se mazallah, të mos jenë ata, ç'mos do të shkruajnë letërnxirësit!
Do të shkruanin burrat e botës edhe si pëshurret e si dhihet njeriu e, besa, edhe nga del pordha dhe…
…Dhe do të rrahin gjoks se kanë prirje për të shkruar vepra letrare e artistike.
S'e ka keq besa. Mu për atë, i dhashë të drejtë. Mirë e ka. Po të mos ishte kritika letrare, vaj halli për ne.
Ama kritika e mirëfilltë letrare apo jo?!…
Po, mu për atë e kisha fjalën de…
Se po m'i hëngri maca mendtë dhe u besova fjalëve dhe vlerësimeve të disa "kritikucëve" vaj halli për mua dhe për letërsinë tonë të sotme.
E, po si? -Do të më pyesni!
Ja se si. Unë ua them troç:
Dëgjon "herifi" se akcili shkrimtar ka shkruar një vepër dhe e ka botuar në ndonjë nga shtëpitë botuese (e sot ka mjaft të tilla), kap lapsin dhe t'ia rras…
Pa e lexuar veprën, a?
Qy, qy, po ç'nevojë ka për të lexuar kur e di mirëfilli se nga është, cilit klan i takon dhe si shkruan. Ai është aq i "mençur" saqë nuk ka nevojë as ta shohë librin e lëre më ta lexojë. Për të do të ishte nënçmim të merrej me leximin e një vepreje të një autori të një klani apo rrethine tjetër…
Do të fillonte ai me fjalinë: "…Autori do që nëpërmjet një gjuhe pezhorative ta formulojë estetikën e veprës…"
Dhe ju, do të rjepeshit duke kërkuar në atë vepër ndonjë shprehje pezhorative e s'do të hasnit në asnjë… Do të ndaleshit e do ta pyesnit nëse e takoni atë farë "kritikucin" ku e ka parë, një shprehje të tillë, në cilën faqe të librit?!…
S'di! -do ta thotë ai, - as e kam parë librin e tillë!…
S'e ke parë?! Do të habitesh!
Jo, nuk e kam parë kurrë!
E po si ke mundur të shkruash një gjë të tillë?!
Fare lehtë. E di unë sesi mund të shprehet ai. Dhe jo vetëm atë, por di sesi shprehet çdo shkrimtar. Për atë paguhem!…
Pirolla i qoftë redaksisë dhe shtëpisë që të mban!
"Kritiku" i tillë të lë pa tekst dhe bastardhon tërë letërsinë.
Po, ama të gjithë nuk janë të njëjtë! - do të mbrohesh prapë.
Mbase, nuk janë të gjithë, por asnjëri nuk tenton të të ndihmojë, por, vetëm të ta kritikojë punën. E si është dashur të shkruhet, nuk do të dinte as ai.
Andaj, tash e tutje, nuk do "të më hajë palla" për kritikë letrare të tillë.
Ju si të doni…
NJË MINUTË HESHTJE
Vdiq një mik i një mikut të mikut tim dhe sipas traditës bashkëkohore duhej mbajtur një mbledhje komemorative dhe bile së paku të mbanim një minutë heshtje.
Shkova, për të mos m'u hidhëruar miku e atij ai miku i tij e të tretit miku i katërt. U bëmë bashkë, unë me mikun tim, ai me të vetin e kështu me radhë. U ulëm, sipas zakonit, të gjithë në një radhë dhe dëgjonim fjalimet që i mbanin miqtë e të vdekurit. Derisa fjalëmbajtësit flisnin, të afërmit e të vdekurit i mbanin faculetat në fytyrë. Nuk di në qanin apo mbulonin fytyrën për të mos u parë shminkat…
Sidoqoftë, në fund, si zakonisht edhe një minutë heshtje. U ngritëm të gjithë. Të them të drejtën, për këtë akt të fundit u gëzova më shumë. E para se kishin mbaruar fjalimet e zjarrta dhe më nuk do të shihja faculetat në fytyrat e të afërmve të tij dhe e dyta që do të ishte edhe më kryesorja: kisha bërë disa kilometra udhë për t'i bërë nderin e fundit të vdekurit. Andaj, erdhi momenti kur duhej t'ia bëja atë, që nuk do të mund askush të më ndalonte e as të më diferenconte nga të tjerët.
E bëmë edhe këtë "nder" të fundit dhe e nisëm për në rrugën e amshimit. Në rrugën që ai vetë nuk e shihte dhe nuk e ndjente fare.
Ndoshta ishte më i qetë nga të gjithë ne.
Nuk e shihte varrimin vet, ndoshta edhe e ka parë, po ja, që ne nuk mund të kontaktonim me të dhe tani nuk di çfarë t'u them.
Po, ja, që atë ditë varrosnim një mikun e një mikut të mikut tim dhe krejt ajo që ndodhi ishte deri diku në rregull. Mirëpo, seç i bëri mendja dikujt "fiu" dhe hajt ta varrosim të keqen.
E si të varrosej e keqja vëlla… sa varre duhej hapur për t'i varrosur të këqijat e sa dheu duhej për t'i mbuluar… Ku të gjendej gjithë ai vend dhe gjithë ai dhe.
"Shpikësi" i varrimit të së keqes nuk kërkoi kushedi sa vend. Atij iu desh vetëm një arkivol, një tufë lule në të dhe disa pjesëmarrës apo thënë ndryshe, "xhematë".
Të them të drejtën, ishte shyhdet t'i shohësh një numër të madh të njerëzve që tentonin të varrosnin një të keqe. Një dhunë të ushtruar pa ndarë nga një pushtet i krisur. Një pushtet që ishte i huaji për të gjithë.
…Gazetat shkruan mjaft e besa edhe televizionet private dhe ai i shtetit amë. Nuk kishte njeri të mos jetë entuziazmuar nga ky gjest. Ne jemi të njohur për eufori.
S'jemi fajtor që jemi aq të ndieshëm. E kemi thellë në gjene, ndjenjën dhe dhembjen.
U varros e keqja e besa u mbajt edhe fjalim i zjarrtë mu si në varrimin e atij mikut të mikut të atij mikut tim e ndoshta edhe më i zjarrtë ishte fjalimi në këtë ditë dhe…
… Dhe filluam të flisnim e besa edhe të besonim se e keqja u varros njëherë e përgjithmonë. Mirëpo, kështu nuk mendonin edhe pushtetmbajtësit. Dhuna jo që u pakësua, por edhe u shtua edhe më tepër dhe si duket "e keqja dhe dhuna e varrosur" ishte ngritur lugat dhe shëtiste rrugëve tona. Jo vetëm që shëtiste, por edhe pinte gjak të të rinjve dhe të rejave tona.
Tanimë nuk kishte kohë të mbanin faculeta në fytyrë. Dhe do të pyesnit: Si është e mundur?
E mundur. E mundur dhe mirë bile.
E keqja dhe dhuna shtohet e tanimë nuk varrosim lule, por të rinjtë tanë në lule të rinisë. Varrimet dhe minutat e heshtjes nuk kanë të ndalur.
E deri kur varrime?…
Këtë nuk e di askush… Mbase Amerika dhe Evropa e dinë?!
Mbase!
Na mban shpresa!…
SHTET SHUMËMENDIMESH
Nuk e kisha menduar kurrë se do t'i bie boja luftërave të mëparshme. Jo vetëm atyre, por gjithë frytit që sollën ato. Njerëzit korreshin si misri "për atdhe" e "flamur" apo edhe për "ideal".
Luftëtarët nuk kishin të ndalur dhe "korrje-shirjet" po ashtu. Disa "korreshin" gjatë luftës e ata që mbeteshin "fshiheshin" pas saj. Apo thënë ndryshe "pastroheshin në paqe"
Që kur ekzistueka emri Ilir, Arbër, Arvanit, Shqiptar, dihej vetëm për luftëra dhe, kinse për "Liri".
"Liria" ishte fituar me gjak e atë duhej shijuar.
Ndodhi që prapë të ketë një luftë. Po, ama, jo me pushkë, "Luftë mendimesh", ishte kjo… Dhe fituan ata që donin shtet "shumëmendimesh"
Shtet "shumëndimesh"?!
Po!
Mos po mendon në shtet "shumëpartiak"?
Jo, jo, mirë e kam. Sistemi shumëpartiak dhe shteti "shumëmendimesh" ka dallim, apo jo?
Ka, ka…
Eh, pra, dëgjo. Lufta u bë mes shtetit njëpartiak dhe atij "shumëmendimesh".
E dallimi ku është?
Dallimi është aty se sistemi njëpartiak ka shumë mendime, por sjellin një vendim. Ndërsa ky farë "shteti shumëmendimesh" ka shumë mendime që sjellin shumë vendime. E kupton tash?
Jo, për nder aspak!?
Nuk e kupton thua? Apo bëhesh se nuk kupton. Në atë farë sistemin e mëparshëm është debatuar gjatë për një gjë dhe është sjellë një vendim. Në këtë të sotmin nuk debatohet fare dhe sillen një mori vendimesh. Njeriu nuk di si të veprojë.
Të festojë ditën e flamurit apo jo? Ta vejë flamurin në ditë feste apo jo?
Disa thonë të vihet!
Të tjerët ngriten e thonë: Jo, nuk bën!
Të tretët ngriten e thonë: duhet vënë kurora në varret e partizanëve të rënë në luftë!
Të tjerët nuk ngurrojnë të mohojnë këtë dhe t'i shpallin për tradhtarë, ata që do ta bënin këtë.
Sot, pra, mund të ndodhë çdo gjë. Mund që të kishe qenë me ta deri dje, dhe ja që sot mund të largohesh dhe të mbetesh gjithnjë i harruar. Bile palla s'u ha (me nder me thanë) kështu thotë populli kur duan të thonë diçka që s'u pëlqen. E unë e them ashtu se jam zënë me një mikun tim më kusht.
Po t'i përmend një mori njerëzish që nuk i takojnë rrethit tim duhet të them (me nder me thanë) e po të përmend ai, po ashtu ata që nuk i takojnë rrethit të tij, duhet ta përmend (me nder me thanë), kështu edhe unë edhe ai do t'i shpëtojmë qerasjes.
E po nuk e ha de…
As unë jo! -më tha një ditë miku me të cilin isha zënë me bast. Prej asaj dite, nuk harrojmë të themi "me nder me thanë".
E pra, "me nder me thanë", besoj se nuk do të ma zini për të madhe që nuk them "me nder të thuash", ngase trajta "me e tue" nuk përdoret në gjuhën letrare. Dhe unë e mbroj parimin e gjuhës së njësuar dhe luftoj që atë ta ruajmë dhe ta begatojmë edhe më tepër me shprehje të huaja, por ama ja që e them në mënyrën më popullore "me nder me thanë" është bre vëlla, jona. Njëmend e vjetruar, por është e jona, apo jo?!
Nuk dua të bëhem si këta "socdemokratët" e sotëm që duan të shlyejnë çdo gjë të kaluar.
Burrat e botës mëtojnë të mbrojnë tezën se historia ka filluar me ardhjen e tyre në pushtet dhe krejt ato që i takojnë të kaluarës duhet hedhur në harresë.
Jo, bre bacë, jo. Historia ka filluar me lindjen e Ilirit dhe secila etapë do të ketë vendin e vet në histori, sado e nxirë të jetë ajo.
Besoj se do të pajtoheshit edhe ju me mua?
Po ata?
Kush ata?
"Socdemokratët", de?
Do të bien në brazdë, do të bien…
… Me nder me thanë...
GJYKATËSIT DHE TË TJERËT
Flitet se qeveria e tashme ka vendosur që nëpunësve nëpër gjyqe t'ua ngrisë të ardhurat.
Andaj, sot një gjykatës do të ketë të ardhura të majme për kushtet tona. Ai do të marrë hiç më pak e hiç më shumë se tri rroga të një mjeku, profesori, inxhinieri, farmacisti, ekonomisti, agronomi etj.
Për policinë të mos flasim. Ata mund të kryejnë nga një kurs tre deri në gjashtë muaj dhe të marrin një rrogë në përqindje më të madhe se të gjithë fakultetlinjtë, në përjashtim të gjykatësve.
Dikush do të pyeste:
A është e mundur një gjë e tillë dhe si?…
Është dhe mirë, bile. Këtë jo që e them unë. Nuk e shpika prej mendjes së shëndoshë, por nga dokumenti që lexova. Jo që lexova, por edhe dëgjova.
Mirë! -do të thoshte dikush.
Po ç'të keqe ka këtu?
Asgjë jo!
Po atëherë?!
Ua them unë…
Gjykatësit kanë të kryer fakultetin si edhe të gjithë ata që përmenda më lart, pos policëve që punësohen pasi të kenë kryer ndonjë kurs.
Ama kurs se?!…
Aty mësojnë se si duhet rrahur njerëzit dhe…
Sidoqoftë, nuk do të flas për këto që mësojnë ata nëpër kurse, por për të ardhurat e gjykatësve dhe arsyetimi i qeverisë…
Te gjykatësi vjen për punë, deshi apo nuk deshi edhe kryetari i shtetit e të mos flasim për ata tjerët më të vegjëlit.
Te gjykatësi vjen edhe ai që merret me "biznes" të madh.
Te gjykatësi vjen edhe ai që merret me mito.
Te gjykatësi vjen edhe i biri i tij e ndoshta edhe babai e vëllai…
Te gjykatësi vjen edhe polici…mjeku… profesori… etj.
Dhe?…
Dhe të gjithë me dashje apo pa të, duhet gjykuar.
Po, po, duhet.
E si do ta gjykojë kryetarin e shtetit? Si do t'i gjykojë ata pak më të vegjëlit e tij? Si do t'i gjykojë policët? Si do ta gjykojë "biznismenin" e madh apo atë që punon dhe jep mito!?
Si do ta gjykojë vëllain, babanë, mikun e tij?!
Ke të drejtë! -do të thoshte i dyti.
Qeveria mendon për të gjitha. Mu për atë janë aty ku janë.
Gjykatësi me të ardhura të vogla nuk do të ketë ballë t'i gjykojë, ngase do t'i ofrojnë "mjete të majme" dhe ai do të shikojë ndërmjet gishtave. E kështu….
Po mjekët?
E profesorët?!
Për ata nuk jemi të interesuar. Ka sa të duash. Deshën apo jo, duhet të punojnë. Në daçin të mbeten gjallë, apo jo?
Do të thotë se shteti dhe qeveria nuk janë të interesuar për ta?
Sipas kësaj, po del se jo!
E…
E rri aty ku je dhe mos bën zë. Kuptove?
Kuptova, por nuk më hyn fare në tru?!
Nëse nuk të hyn ty, ta futin ata…
Kush ata?
Kush, a? Do t'i përmend prapë?
Jo, jo, s'ka nevojë.
Mirë, pra. U kuptuam.
Po si jo more. E kuptova edhe mire bile: Qeveria qenka e interesuar për "drejtësi" e polici "të mirë" e të tjerat…
Për të tjerat ta them unë.
E….
Të tjerët le të shkojnë në dreq të mallkuar.
Me ne apo?…
Edhe ne, edhe ne, ç'kujtove ti?
?!?
ORATORI DHE "ORATORËT E SOTËM"
Për Ciceronin thonë të ketë qenë orator i madh. U besoj, sepse nuk mund të ndahem nga të tjerët. E dini edhe ju thënien popullore: "Ajo dele që ndahet nga bylyku e han ujku".
Andaj, i përmbahem kësaj maksime popullore.
Cili prej nesh e paska dëgjuar Ciceronin duke folur. Le të dalë, pra, botërisht le të thotë: O Dai, e kam dëgjuar me veshët e mi dhe e kam parë me këta sy dhe i kam duartrokitur me këto dy duar që po i sheh!?…
Aferim! -do t'i thosha.
Do t'i besoja.
Por, ja, që askush nuk doli ta thotë këtë.
Nuk jam këmbëngulës, e thashë edhe më parë.
E po, atëherë?
Dikush do të ngritej e do të thoshte:
Lehtë ka qenë atëherë të mbash fjalime e të bëhesh orator!
Njerëzit kanë qenë të pashkolluar.
E sot edhe fëmija i djepit ta lexon letrën në xhep!
Njëmend po!
Sot nuk mund ta mashtrosh askë e, megjithatë njerëzit mashtrohen! Janë të vetëdijshëm për mashtrimet që u bëhen ditë për ditë, por ja që vazhdojnë të besojnë.
Dikush për inat të kolegut, dikush për inat të fqiut e dikush për inat të gruas e mashtrimet nuk kanë fund…
Andaj edhe Bulka e pati mirë kur tha se të bëhesh orator nuk të duhen më tepër se njëzet fjalë. Ato t'i përsërisësh disa here dhe ja, fjalimi i suksesshëm.
Oratorët e sotëm i përngjajnë shumë oratorëve të kohës së Ciceronit, por vetëm bërtasin më tepër:
O milet!
O popull!…
Jo! Jo!
Kanë ndryshuar gjërat!
Sot, oratori zgjedh një stil tjetër.
Ai u drejtohet miletit me njëfarë butësie:
Zonja dhe zotërinj!
Kurrë nuk thonë:
Zotërinj dhe zonja!
Le të dihet kush është zot në shtëpi!…
Koha e ha kashtën!…
Andaj "oratorët" janë të kujdesshëm. E dijnë fort mirë se kah sillen "lepujt" dhe tak e në nishan. Pas duartrokitjeve të para që do t'i bënin të pranishmit, posa të dëgjohej nga goja e tij shprehja "zonja" ai do të përjetojë orgazëm. Ma merr mendja se do të ulë shikimin poshtë, për të kontrolluar pantallonat. Pasi do të bindej se çdo gjë është në rregull do të vazhdojë:
Ju siguroj…
Kurrësesi nuk do të thotë:
Ju premtoj!…
Që nga kjo kohë ai më nuk do të bëjë gabim, por do të jetë i kujdesshëm.
Shprehja e tretë që do ta përdorte "oratori" do të ishte "S'do të ketë…" e jo "s'do të lejoj", se prapë do t'ia merrnin për të madhe dhe s'do ta dëgjojnë, por do të ikin.
Ai do të mbetej vetëm me truprojen e tij i cili ia mban çadrën edhe në vapën më të madhe. Natyrisht ato të shiut.
Shprehja tjetër që do të vinte në radhë do të ishte më kryesorja që "oratori" do ta kishte parasysh ta përsëriste disa herë gjatë fjalimit të tij "keqpërdorime" e jo "malverzime" e "kalkulime". Këto dy shprehje nuk do t'i thoshte se do të humbiste poena nga masa. Prapë do të pasonin duartrokitje, e ai, do të përjetonte "orgazëm" të dytë. Për të më me rëndësi do të ishte që fjalimi t'i vajë mbarë sesa të ishte i shoqëruar në ndonjë dhomë hoteli me ndonjë krijesë të bukur!?…
-Po, a ka më lezet dhe "orgazëm" më të madh se kur dikush i duartroket, pas lidhjes sintaksore të katër a pesë shprehjeve?!…
Harrova të them edhe këtë: Pas çdo fjalie të thënë do të jetë i kujdesshëm të rregullojë frizurën e flokëve, natyrisht, nëse ende i ka në kokë… Ndërkaq, sa i përket gishtit tregues, nuk do ta përdorte në asnjë mënyrë. As grushtin, jo, se do ta merrnin për komunist apo diktator. Dorën mund ta ngre e ta lëvizë si të dojë, por me shuplakë të hapur. Kështu masa do të mendonte se dora e tij është e pastër dhe nuk ka të fshehur asgjë…
"Oratori" i tillë mund të notojë e të rrëshqasë në mjediset tona.
Pirolla u qoftë pelivanëve të këtillë!…
DIALOGU ME BABAIN TIM
Në ëndërr m'u paraqit babai im i ndjerë. Të them të drejtën m'u bë qejfi që e pashë. Kurrë nuk e kisha parë të tillë. E mbajta mend vetëm të sëmurë e ai erdhi në shtëpi shëndosh e mire, si kurrë më parë… Njëmënd ishtë mjaft i zhvilluar. Merrej me punë të rënda fizike, andaj edhe trupi i tij i përngjante një atleti. Njëri prej moshatarëve të tij që ende jeton, më pati thënë se babai im i ndjerë e hidhte gurin më larg se askush tjetër. Askush nuk mund ta arrinte cakun ku e hidhte ai. M'u kishte bërë qejfi e ç'është e drejta më bëhet ende kur dëgjoj fjalë miradie për të. Si fëmija për babanë e vet më…
Aty te shkallët e shtëpisë u takuam ballë për ballë. Më shikoi mirë e më tha:
-Sikur shumë po i thumbon njerëzit. Kjo nuk të ka hije!
E shikova, nuk desha ta kundërshtoj. Asnjëherë nuk kam pasur guximin t'i kundërvihesha e aq më pak tani kur u takova pas shumë viteve. Kisha frikë mos largohej e do të mbetesha gojëhapur. Kisha mjaft për t'i thënë. Kur vdiq, isha fare i ri, andaj nuk kisha pasur rastin të bisedoja ndonjëherë si partner i barabartë.
-A po dëgjon çfarë të them? Si shumë po i thumbon njerëzit. Duhet të kesh kujdes, e lëndon ndokë, të mallkon e pastaj…
-E po… - ia bëra unë, -ç' t'i bësh. E kërkojnë dhe e gjejnë.
-Punë e tyre është, ti mos u përziej.
-Unë nuk përzihem, por ja, ata nuk më lënë të qetë. E mban mend në kohën tënde sa këngëtarë kishte?! E di sa janë sot? Natyrisht, që nuk e di!… Ta them unë: ka me qindra të tillë, inflacion i vërtetë. Një dyzinë këngëtarësh që incizojnë tri e më tepër kaseta në vit. E di me çfarë këngë? Edhe këtë nuk e di! Po ta them unë. Përpunojnë melosin grek, turk, sllav, rom, italian, arab. Çfarë nuk këndojnë, por vetëm melosin shqip, jo!… Dhe, ti mua më thua të mos i thumboj?! Kemi inflacion këngëtarësh të pa vlerë… Secili prej tyre nxiton të komponojë sa më tepër (lexo) vjedhë këngë nga melosi i huaj dhe…
…Dhe jo vetëm këngëtarë. Burrat e botës i hyjnë çdo zhanri të artit. Të rraset mendja që edhe fëmijët posa të dëgjojnë përrallën e parë nga gjyshja, mëtojnë të incizojnë kaseta humori. Jo vetëm kaq, po dalin botërisht e thonë se janë humoristë të spikatur.
-Hajt, bacë, hajt!…
Disa të tjerë posa të dëgjojnë lajmet në televizion, dalin, dhe jo vetëm që shtrembërojnë fjalët e zyrtarëve politik, por edhe i shtojnë dhe rrahin gjoks para masës sesi marrin vesh në politikë dhe menjëherë konsiderohen për deputetë e këshilltarë.
Ec e mos plas kur sheh e dëgjon marrëzira të këtilla.
-Secili dash lidhet për brirët e vetë. -më tha babai. Do ta kuptojnë me kohë gabimin e bërë
-Derisa ta kuptojnë gabimin, neve na rroi dreqi me të birin…
-Ndoshta ke të drejtë, -më tha, -por ti mos u përziej. Ç'të hyn në punë se ç'bëjnë të tjerët. Ti do ta drejtosh botën?
-Po, ama… -desha t'i them edhe diçka, por, ai humbi diku në errësirë.
Më doli gjumi.
Mbylla sytë sërish, mos, ndoshta prapë do ta takoja, por nuk ia arrita.
Kurrë më parë nuk kisha dëshiruar të zgjasë ëndrra më tepër sesa mbrëmë, por, ja, që ajo përfundoi.
E unë kam mjaft për t'i thënë. Mjaft gjëra e ndodhi që nuk i kishte parë. Ai nuk e dinte që shoku i tij i punës që nuk dinte as shkrim e lexim, tani në pleqëri ishte këshilltar në komunë. Nuk e dinte as që çiraku që mësonte zanatin e zdrukthtarisë te mixha im, ishte bërë kryetar. Nuk e dinte që ndihmësi i priftit, varrëmihësi e përgjegjësi i këmbanës së kishës, sot ishte bërë kryetar i një partie opozitare.
Ai nuk dinte edhe shumë gjëra…
E ndjeja të nevojshme t'ia them. Mbase, ma thotë mendja, se po të ishte gjallë edhe pse nuk dinte shkrim-lexim, do të ishte në ndonjë vend kyç.
E pse jo, Referatet do t'ia përpiloja e shkruaja unë. Këtë do ta bëja, ngase e kam borxh ndaj prindit. Edhe pse s'dinte të lexonte do të përsëriste atë që do ta thosha unë dhe do ta incizonim zërin e tij. Para masës do të dëgjohej zëri i incizuar… Ata do t'i duartrokisnin, pa e ditur fare se kush e ka përpiluar këtë tekst të folur…
…Dhe do ta merrnin për politikan të madh.
Do të bëhej, ndoshta, po si jo, por ja që fati deshi ashtu dhe ai vdiq pa u kompromituar!
Lavdi i qoftë!
KOLLTUKOFOBIA
Vjen njëri e më thotë: Këta të vjetrit duhet ndërruar nga të gjitha vendet kyçe. Ata nuk punojnë gjë dhe si duket janë matufosur. Nuk kanë të kryer gjë. S'dinë të flasin. Lexojnë vetëm shabllone. U teret goja e fjalët u mbeten në fyt. I harrojnë syzet në foltore etj. etj.
Ju do të më pyesni:
Vallë kush është ai?
Do t'i hapni sytë, katër do t'i bëni. Veshët do t'i lyeni me hidrogjen e pip me gojë nuk do të bëni, derisa unë do t'u sqaroj gjërë e gjatë për atë farë luftëtari të socializmit centralist.
Cila do të ishte historia e tij; më falni s'po e zgjas shumë. Për të, ja vetëm dy fjalë. Ai si fëmijë vuan nga kolltukofobia, sëmundje kjo famëkeqe. I gjori shëtiti kahmos, ilaç vetes nuk i gjeti. Këshilltarët e shëtitën prej një mjeku te tjetri, por ç't'i bësh, ilaç nuk u gjet hë për hë.
I gjori ai.
Një mbrëmje derisa përcillja lajmet në TV, kur qe mu ai duke (e) u këshilluar me një të madh.
Heu, thashë me vete, po kah mos i rrasë hundët.
Të nesërmen i ati i tij, një rojtar i thjeshtë i një objekti, erdhi e më tha: A e pe tim bir, ia drejtoi gishtin atij farë lahperi dhe ia bëri me dije se nuk e ka larg…?!?
E shikova në sy dhe sakaq m'u kujtua një anekdotë:
U lavdërua një çoban dhe rrahu gjoks para shokëve.
-Foli pasha me mua!
-E pamundur? Po çka të tha ore?
-Lidhi qentë o qen i biri qenit!?.
FAJTOR, SHTJEFNI…
Një ditë në një kafene të qytetit (aty kryhen të gjitha punët me gojë), një shokut tim gazetar iu afrua njëri dhe ia tërhoqi vërejtjen, që në të ardhmen të ketë kujdes se çfarë shkruan, kë e thumbon, etj. etj, përndryshe keq do t'i ketë punët.
Ia tha këto fjalë dhe iku.
Ngadalë ore desha t'i them unë, por ai kishte ikur duke sjellë kokën herë në të djathtë e herë në të majtë. Ky s'ishte as i pari e as i fundit që nuk i pëlqenin vështrimet apo thumbimet në gazetë.
Para ca ditësh njëri sosh duke komentuar një shkrim në gazetë, kishte harruar se ishte duke drejtuar automjetin e ishte rrasur në një hendek. Për fat të mirë udhëtarët kishin shpëtuar pa një therrë në këmbë, por automjeti ishte dëmtuar mjaft.
Të nesërmen ia kishte mësyrë zyrës së gazetarit për të kërkuar dëmshpërblim. Gazetari ishte shkaktari i aksidentit, thua ti se i kishte shtyrë dikush me dhunë që ta komentonin shkrimin e tij në atë gazetë.
Ç'absurd?!
Një herë tjetër një arsimtar e kishte gjetur veten në një reportazh të po këtij gazetari dhe iu kishte hidhëruar pa masë. Meqë ky kishte shkruar për agjëruesit e ramazanit?!
Si duket, gazetari për çdo shkrim të vetin po dashka të konsultohej me të gjithë ata që do ta gjenin veten nëpër shkrime të tilla. Përndryshe…
Sakaq mu kujtua një anekdotë:
Një shtëpi e madhe kishte një rrogtar me emrin Shtjefën. Sa herë që bëhej ndonjë dëm, fajësohej Shtjefni. Derdhej qumështi mbi shporet, fajtor Shtjefni. Digjej buka, prapë fajtor Shtjefni.
Një ditë Shtjefni sheh një tollovi që bëhej në atë shtëpi dhe e pyet një grua:
-Ç'është kjo tollovi moj Zonjë?
-E reja e zotnisë ka djalë- i thotë ajo.
-Psst, të mos dëgjojë ndokush, se pastaj do të thonë fajtor është Shtjefni. -ia ktheu ky.
SHPIRTI I VAFTË NË…
Meqë ra fjala te feja, e kam borxh ta them edhe këtë. Nuk jam fetar i madh, por meqë mendoj se jam i "drejtë", ngase ende nuk jam i kërrusur dhe ndjehem vital, edhe pse në fëmijëri ka bërë vaki të vjedh ndonjë ve nëpër strofullat e pulave, të cilat i ndërroja me hallvaxhiun për një akullore, kujtoj se jam "kandidat" për xhehnet.
Mirëpo, ndodhi një ditë që të vdesë një ish i "madh"dhe meqë bënte pjesë në ata shqiptarë lojal, u çuditën të gjithë sesi zoti ia mori shpirtin mu ditën e premte.
Ditë kjo e madhe për pjesëtarët e fesë islame. Bajram hesapi.
-Ou po njeriu që paska qenë, thanë ca hoxhallarë, vdiq në këtë ditë të madhe. Sevap i madh është të vdesësh ditën e xhumasë.
Po, ama, mendimet gjithnjë nuk janë të njëjta.
Duke marrë parasysh se kush ishte dhe ç'kishte bërë gjatë jetës së vet, dikush u ngrit dhe tha:
-Shpirti i vaftë në mut…
-Mos u shpreh ashtu se nuk bën. Zoti t'i ngarkon krejt gjynahet e tij, - i tha njëri sish.
Po ama, do të thosha unë, a s'ka zoti punë më të mençur se sa t'ia ngarkojë këtij të riu gjynahet e huaja?
S'ma merr mendja se edhe Zoti është i tillë. Ai askend nuk e ngarkon me të pabëra. Ndien keqardhje për këto që bëhen në këtë botë, kur shqiptarët për çdo gjë bëhen fajtorë. Bile edhe për demokratizimin e Evropës, sepse mu shqiptarët ishin të parët që e luftuan sistemin njëpartiak dhe i mbushën burgjet në ish-Jugosllavi. Kujtoj se Zoti duhet t'i ketë të gjitha parasysh. Mund të ndodhë që një ditë të ngriten të gjithë edhe kundër tij në ndonjë protestë të madhe e vaj halli për të pastaj…
Bile ndoshta do t'u mbushet ndokujt dhe haptas do të thotë mu si Çajupi:
-…Se dhe perëndinë ma nuk e besoj!
Kushedi, ndoshta?!
JEHONA, korrik-gusht 1992
MITINGXHIU
"Eureka" pat bërtitur atëbotë një shkencëtar i madh. "E gjeta" bërtiti para do ditësh i paturpshmi Milosheviq.
-Kosovën Republikë nuk e duan të gjithë shqiptarët, por alternativa, popullin e fut në hendek. Kështu -tha ai -më deklaruan tridhjetë shqiptarë që u takuan me mua.
Turp i turpit.
Kosovën dymilionëshe e identifikon me tridhjetë shqiptarë sahanlëpirës. Ç'politikan se… Po referendumi i mbajtur i shqiptarëve për mëvetësi?
Po zgjedhjet e lira të shqiptarëve, ku morën pjesë 99%, s'i thotë gjë këtij farë kryetari të Serbisë? Njëmend shkencëtar i madh i shthurjes së Jugosllavisë.
I lumtë, do të përmendet në historinë e njerëzimit për shpikjen e një recete të re për zhdukjen e një shteti që dikur gëzonte prestigj të madh në botë.
Pa dyshim, këtij farë shkencëtari, duhet t'i ngritet një përmendore e si mbishkrim t'i shkruhet: Erdhi me miting, shkoi me miting.
JEHONA, shtator 1992
HEMHEMAT
Shpesh na rastis të ndeshemi me individë, të cilët nuk kanë mendim të prerë, por herë thonë kështu e herë ashtu. Me një fjalë, veshin gëzofin sipas motit. Këta besa s'janë të paktë. Ata që kthejnë herë në të djathtë e herë në të majtë, populli me të drejtë i quan Hem-Hema.
-Hemhemat s'kanë as farë as fe.-tha dikush
-Si more nuk kanë? Po ata s'qenë kërpudha, po "njerëz" heeej!
-Unë njoh mjaft të tillë. Por se s'paskan farë, këtë nuk e paskam ditur. E nga shumohen atëherë?
Ndalem, mendoj mirë…Këta që po na udhëheqin, "demokratët e tashëm", a s'ishin komunistë të dikurshëm? A s'kishin poste me rëndësi? A s'i diferencuan shokët e vet? Apo, ndoshta vetëm këta u diferencuan dhe me ta filloi historia e popullit shqiptar?!
-Pak maaaccc! Do të thoshte dikush.
-Heu more, të lumtë ne për këta "shpëtimtarë" të këtillë të kombit!
Një i madh një ditë më tha:
-Filani është karrierist, kemi gabuar që e kemi caktuar në atë post. Foli ai për të edhe shumë çka tjetër dhe iku. Po i njëjti person, komunist i dikurshëm e "demokrat" i sotit, ditën tjetër ia rrahu supet atij për të cilin dje më foli zi e më zi.
Shikova rrotull. Vallë mos u rrokullis toka?! Më bëjnë veshët, apo, vërtet goja e tij flet?! Çfarë marifetllëku se?!
Desha apo nuk desha, m'u kujtua Gjergj Fishta dhe "thënia" e tij: Le ta dijë bota mbarë se Gjergj Fishta s'është shqiptar!
Po a s'ishin të njejtit njerëz që shtynë atë Gjergjin ta "thotë" këtë?.. dhe thanë: Atë Gjergj Fishta është tradhëtar!!!
Ai që me aq trimëri u këndoi shqiptarëve. Ai i cili përdhosi politikën diskriminuese serbe, ai që me aq xhelozi ruajti dhe latoi vargun shqip edhe kur qe ndaluar, u kualifikua si tradhëtar i kombit shqiptar!
Edhe sot quhen tradhëtar ata që me vite ndenjën në burgje për çështje kombëtare. Ata që festojnë Ditën e Flamurit dhe organizojnë manifestime historike kombëtare, nga po të njëjtit "shpëtimtarë" e "patriotë" etiketohen si bashkëpunëtorë të UDB-së!
Të mjerët kanë frikë se do të humbin "poena" në popull. S'e dinë ata të mjerët se gjithmonë do të mbeten TË MJERË!
Si të mos bëhet njeriu tym nga këto marifetllëqe të këtyre "shpëtimtarëve të kombit" Patriotëve me bateria. Rrapaskopave. Oborrtarëve mbretëror që kryejnë detyra sipas diktatit partiak. Mistrecë, që secilit mbret i shërbejnë besnikërisht…
Dalin burrat e botës e shesin mend për "patriotllëkun" e tyre të madh! Ata që mendojnë shqip e shkruajnë serbisht.
Herë herë, mendojnë "serbçe" e flasin shqip. Japin betimin para flamurit dhe stemës së huaj…
Obobo, ç'na gjeti e ç'do të na gjejë se…
Ç'kohë të vështira na kanë ardhur more… hej more hej…
JEHONA, dhjetor 1992
PAKURRIZORËT
Seç më ra në dorë një gazetë, nga ato që shkruhen e lexohen mbrapsht. Me një alfabet jashtë dynjasë. Pa zanore karakteristike. Pa bashktingllore gjuhore…
Apo siç do të thoshte Kadare "Serpente".
Në të çmos.
Por, edhe pallavrat e një alamet demokrati shqiptar, i cili veten e quan lider i të gjithë shqiptarëve të një ane.
-Çdo gjë në rregull -do të thoshte ndokush.
-Po. Ama, kur kihen parasysh do gjëra të tjera dhe ç'thuhet në të, atëherë e vë gishtin në kokë dhe pyet:
-A U DESH EDHE KJO?!
Të humben disa orë pune për një reklamë bajate dhe të sulmohet vëllai i një gjaku apo kolegu, kur kihen parasysh shkrimet ku s'ka mbetur kush pa u sulmuar. Pse bre vëllaçko të shfytëzohet shtypi "serpent" për të baltosur vëllanë?!
-Po, jo, këto tonat do të lexohen e do të bëhet rrëmujë. Ndërsa shtypin e mbrapsht ndoshta nuk do ta lexojë kush dhe do të mbetet e pa hetuar thënia e tij.
-Zot o zot, ruana nga gojëkëqinjtë e smirëzinjtë! Ruana ti pak e ne do të ruhemi shumë. Dorën në zemër. Thuaje bre vëlla troç. Filan Fisteku është i "ndershëm" apo "pakurrizor". E jo në stilin e mëparshëm "janë disa".
Secili prej tyre të dyshojë në tjetrin e askush në vetvete.
Po, ne, shqiptarët e kësaj ane jemi apo s'jemi "pakurrizorë"?!?
Edhe ne u ndamë nga kopeja.
Do të na hajë ujku, apo do t'i shpëtojmë egërsirës se uritur?! Kjo tash s'është në rend dite.
Do të shqyrtohet një herë tjetër.
Për fund një anekdotë që këtyre ditëve po tregohet në një variant më të ri:
Shkojnë te Zoti një kroat, një serb dhe një shqiptar për ta pyetur se kur do të demokratizohen. I pari hyn kroati dhe e pyet:
-Zot i madhërueshëm kur do të demokratizohen kroatët?
-Edhe njëqind vjet.-ia kthen Zoti. Ky del duke qarë.
-Po serbët?
-Edhe pesëqind vjet.-i thotë Zoti. Edhe ky del duke qarë.
-Po shqiptarët? E pyet shqiptari.
Zoti ia nis të qarit.
JEHONA, korrik 1993
"KIKIRIK KOMBËTARËT"
Henri Mersenin e përcillte pas protagonisti i veprave të veta "Bif Digën", ndërsa mua më janë flugur HemHemat, Mizëkapuçët, Pakurrizorët, Galaganët, Hiçkurkushat e këtyre kur i shtohen edhe "Patriotët me Bateria" dhe "Kikirik Kombëtarët", s'më mbetet tjetër pos ta marr ikën. Po ku të ikë se?… Daullin ku ta fsheh?!?
Shkoj kah shkoj e ata bashkë me daullin më vijnë pas. Heu more zot! S'është punë t'më hiqen. Ndoshta më është shkruar por më së shumti kujtoj se më kruhet. S'më rri bytha rehat. E po si të rrijë njeriu anash e të dëgjoj çmos nga këta farë "Kikirik-Kombëtarët"? I shikon "Patriotët me bateria" sesi u duartrokasin vetvetes për kontributin që ia paskan dhënë kombit duke shkruar e formuluar kumtesa, protesta, peticione, ankesa etj. siç do të thoshte dikush: "Ashpër proteston nëndega e Dabidubit"… dhe me kaq u krye puna.
Jo more, puna s'u krye ende. Si more s'u krye? Ti si duket s'qenke në rrjedha politike? A s'i dëgjon këta liderë, se si nëpër promovime të anëtarëve të vet për kandidatët të mundshëm për për deputetë, për të përfituar votat e duhura përmendin Autonominë? Dhe?… Dhe me kaq merr fund puna. Mos bre?
Po more, po.
Vështirë qenka të jesh lider lokal?!? Po ama cili lider lokal deri më tani u largua vullnetarisht? Cili nga ata tha haptas: vëllezër unë s'qenkam për këtë detyrë.
Cili nga këta "Kikirik Kombëtarët" ia lëshoi vendin tjetrit? Si duket asnjëri. Të gjithë i hapin veshët. Titërr i bëjnë, mos ndoshta nga ndonjë i pranishëm dëgjojnë emrin e vet, të propozuar nga ndonjë post?!?
Heu more zot, i lumi ti për ne! flasin për kauzë kombëtare e luftojnë për kauzë personale. Po, po. Të gjithë dëshirojnë postin e Kryetarit e të tjerët që mbetën pas, atë të deputetit apo të këshilltarit. Asnjëri nuk dëshiron të mbetet anëtar i thjeshtë.
Ec e mos plas.
Fjalamanëve gjithnjë po u shkuaka kungulli mbi ujë. Flasin burrat e botës. Japin premtime. Nuk turpërohen fare para masës. Kryejnë regjistrime, bëjnë referendume, zgjedhin Kuvende dhe të gjitha i ruajnë vetëm në letra, ndërsa vulat i mbyllin nëpër sirtarë për t'i zbuluar në do kohë më të mira, pasi ta fitojnë pavarësinë.
Harrojnë të gjorët se pavarësia nuk vjen vetë. Ajo nuk pikë nga qielli. Autonominë (e Kosovës Lindore) nuk do të na shpallë as Jezu Krishti e as Muhamedi a.s. Duhet vetë të shtrëngojmë shokën e ta lidhim nyje që të mos na zgjidhet. Po, ama ku ta gjejmë një shokë të tillë?!?
Këta "Kikirikë Kombëtarët" bëjnë çmos për ta shlyer të kaluarën. E me të ndoshta do t'i shlyhen edhe mëkatet e veta, të cilat i paskan bërë jo me vetëdije. Ato iu paskan imponuar. Kujtojnë burrat e botës se duke luftuar me fjalë politikën pushtuese diskriminuese të pushtet-mbajtësve, populli do t'i harrojë mëkatet e tyre.
Jo more?! Kësaj i thonë pak maaac!
Nëse nuk e dinë, atëherë do t'ua përkujtoj një anekdotë?
E kish pasë njani nji djalë përdreq. S'kish pas lanë gja t'keqe pa ba. Sa herë merrke vesh baba se ka ba doni t'keqe e ngulke ka ni baski n'ni drrasë t'madhe. Kur u mush drrasa me baskia, i tha baba djalit:
-A po e sheh sa punë të kqija ke ba?
Djalit i shkrepi menja edhe u prek fort. Vendosi mos me ba mo keq, po veç mirë. Sa herë qi bajke ni punë t'mirë djali, baba e hiqka ka ni baski. Kur e hoqi baskinë e mramë, djali i tha babës.
-A po e sheh se i hoqa t'gjitha baskiat?
-Po e shoh, biro. Mirë bane, po kanë metë shejat. Ato nuk shlyhen kurrë!
E ato të këtyre athua a kanë lënë shenja?
KUSHEDI?!
JEHONA, dhjetor 1993
Shënime për autorin
![]() Ferid Selimi u lind në Preshevë, më 7 prill 1963.Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen-drejtimi i farmacisë, e kreu në Leskoc, ndërsa Fakultetin Filologjik, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë. Ishte themelues, botues dhe kryeredaktor i revistës për fëmijë “Kanarina” në Preshevë. Një kohë punoi gazetar në “Zëri”.
Botoi: “Muzeu i Jetës”, poezi “Jeta e re”, 1997 Ky është libri i dytë.
Jeton dhe vepron në Prishtinë. |
![]() |